Itali, rimëkëmbje nga Covid-19, paketë 25 mld euro dhe lehtësime të tjera të masave të izolimit

Itali, rimëkëmbje nga Covid-19, paketë 25 mld euro dhe

Amerika Latine dhe Karaibet e kanë kapërcyer Evropën duke u bërë rajoni me më shumë jetë të humbura nga kovidi-19. Një valë e dytë infeksioni po rrezikon kontinentin evropian, ndërsa Italia ka kaluar paketën e rimëkëmbjes nga pandemia.

Italia ka miratuar një paketë të rimëkëmbjes ekonomike me vlerë 25 miliardë euro dhe lehtësime të mëtejshme të masave të izolimit prej koronavirusit.

Me dekretin e shpallur të premten nga kryeministri italian, Xhuzepe Konte, sigurohet mbrojtja e punonjësve dhe bizneseve që përfitojnë nga skema financimi, zgjatja e afateve të pagimit të taksave dhe tatimeve, 400 euro për familjet me të ardhura të ulëta dhe ndihma për rajonet më të prekura nga pandemia deri në fund të vitit.

Qeveria gjithashtu ka shtyrë deri më datë 7 shtator detyrimin për maskat në hapësirat e mbyllura publike dhe private dhe rregullin e distancimit social një metër larg njëri-tjetrit, ndërkohë që nga 15 gushti do rinisë lundrimi me kroçera dhe nga 1 shtatori, edhe panairet dhe eventet publike.

Italia një ditë më parë konfirmoi 552 persona të rinj bartës të kovidit-19, kur në total numërohen rreth 250 mijë teksa numri i viktimave ka shkuar mbi 35 mijë.

Pesë muaj nga piku i pandemisë, një valë e dytë infeksioni po përhapet edhe në Spanjë me gati 35 mijë raste të reja në harkun e dy javëve.

Gjermania dhe Franca këtë javë arritën pikun ditor të tri muajve, duke nxitur paralajmërimin e ekspertëve se evropianët kanë nisur të lodhen me kufizimet e vendosura nga autoritetet.

Si strategji po shihet tashmë lokalizimi dhe izolimi i zonave të caktuara më të rrezikuara nga pandemia.

Larg Evropës, Amerika Jugore dhe ishujt e Karaibeve janë bërë rajoni me më shumë jetë të humbura si pasojë e kovidit-19, duke numëruar mbi 213 mijë viktima, por mbajnë rekordin edhe për rastet e diagnostikuara me koronavirus, me gati 5 milionë e gjysmë raste.

Brazili është shteti latin më i goditur me rreth 100 mijë të vdekur, i dyti pas SHBA-së me më shumë se 160 mijë viktima, ndërsa Meksika e treta me mbi 51 mijë viktima.

Infeksioni po avancon edhe në territoret e Afrikës dhe Indisë, ku rastet në këtë të fundit u rritën me 60 mijë brenda 24 orëve.

Në rang global, virusi SARS-CoV-2 ka infektuar mbi 19 milionë njerëz në 188 shtete të botës që pas shpërthimin në vatrën aziatike të Uhanit në Kinë dhjetorin e kaluar.

Bota Lajme itali Covid-19 Europa masa pakete rimekembje lehtesime

EMISIONET