Qeveria italiane ka kërkuar vigjilencë të shtuar nga qytetarët dhe bizneset italiane për të frenuar përhapjen e valës së re të koronavirusit në vend.

Masat kufizuese u shpallën të dielën nga kryeministri, Xhuzepe Konte, i cili i justifikoi për të shmangur një izolim të përgjithshëm si në pranverë.

Për shkollat, mësimi do të nisin më vonë se zakonisht dhe do t’i jepet më shumë hapësirë mësimit nga interneti, kryesisht për nxënësit më të rritur.

Baret dhe restorantet do mbyllen në mesnatë por pas orës 6 të pasdite do lejohet vetëm shërbimi në tavolinë për grupe jo më të mëdha se 6 veta.

Janë pezulluar konferencat dhe festivalet, sportet amatore të kontaktit, ndërsa palestrat dhe pishinat do i përshtaten protokolleve të reja brenda 7 ditëve.

“Kjo fazë e dytë e emergjencës nga kovidi nuk mund të përballohet si faza e parë. Na duhet të kujdesemi për personat por edhe për ekonominë. Maskat, distancimi dhe higjiena e duarve janë masat bazë që mbeten akoma efikase,” u shpreh kryeministri italian.

Infeksioni i kovidit-19 në Itali dhe Europë ka avancuar në ditët e fundit. 

Të dielën, autoritetet italiane raportuan mbi 11,700 të infektuar të rinj në 24 orë, ndërkohë që me 36,500 viktima, bilanci i dytë më tragjik në kontinent.

Vala e dytë e infeksionit mbetet shqetësim nga lindja në perëndim të Europës, me rekorde të reja ditore në Gjermani e Francë, ku prej fundjavës 9 qytetet më të mëdha ndodhen në gjendjen e shtetrrethimit gjatë natës.

Duke nisur nga e hëna bar-restorantet në Belgjikë do qëndrojnë mbyllur për 4 javë dhe do vendoset ndalimqarkullim nga mesnata deri në 5 të mëngjesit.

Si në shumë vende fqinje, edhe Zvicra detyroi të hënën qytetarët të mbajnë maskat në ambientet e brendshme publike dhe ka ndaluar grupimet e mëdha.