Mbyllet për sot seanca gjyqësore e procesit ROSA DEI VENTI në Gjykatën e Apelit në Katania.

Para trupit gjykues fjalën e kanë mbajtur avokati mbrojtës i Moisi Habilaj dhe avokati mbrojtës i italianit Vincenzo Spampinato i dënuar në shkallë të parë me 10 vite e 2 muaj burg.

Gjatë seancës nuk i është kërkuar fjala Moisi Habilaj. Burimet rikonfirmojnë seancën e ardhshme më datë 8 tetor 2020.

Mosi Habilaj është konsideruar si kapo i një grupi trafikantësh droge mes Shqipërisë e Italisë , me një aferë biznesi mbi 20 milionë euro.

Seanca e ditës së sotme ishte e dyta që u zhvillua pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit të Katanias, e cila e ktheu pas gjykimin e Gjykatës së shkallës së parë ku u dënua Moisi Habilaj me 15 vite, 5 muaj e 10 ditë burg.

Gjykata e Apelit të Katanias vendosi të pranojë motivet e apelimit nga ana e avokatëve mbrojtës të Moisi Habilaj e të disa prej të akuzuarve të tjerë në këtë proces. 

Më 29 maj të 2019 Gjykata e Apelit të Katanias vendosi ndryshimin e masës së arrestit , për Moisi Habialj nga arrest me burg në arrest shtëpiak pranë një banese të të afërmve të tij në komunës San Michele di Ganxaria në provincën e Katanias. 

Më 17 korrik 2020 u zhvillua seanca e parë e Apelit ku të akuzuarit u njohën me akuzat e Prokurorisë Italiane. 

RTV Ora ka zbardhur 7 prej pretendimeve të palës mbrojtëse në procesin e Gjykatës së shkallës së parë ku kërkohej; heqja e akuzës për pjesëmarrje në organizim për trafik ndërkombëtar lënde narkotike, heqja e akuzës për pjesëmarrje në organizim kriminal të armatosur, heqja e akuzës si kreu i këtij organizmin kriminal, heqja e akuzës për organizim kriminal mbi 10 persona, masa lehtësuese të sqaruar nga pozicioni i tij, njohja e rrethanave lehtësuese me dhënien e dënimit minimal.

Burimet për RTV Ora konfirmojnë se seanca e tretë e këtij procesi gjyqësor do të mbahet më datë 8 tetor 2020 e sipas kalendarit të paracaktuar më datë 11 nëntor 2020 Gjykata e Apelit e Katanias pritet të jap vendimin përfundimtar të gjykimit ndaj Moisi Habilaj.