Italia ka shtyrë deri më 31 janar regjimin e masave të jashtëzakonshme antikovid, mes të cilave parashikohet edhe mbajtja me detyrim e maskave në publik në çdo orë të ditës.

Në Itali, nga dita e enjte maskat do duhet të mbahen me detyrim në publik në çdo orë të ditës, për të ndalur përhapjen e koronavirusit në shoqëri.

Qytetarët anekënd vendit do duhet të mbulojnë gojën dhe hundën sapo lënë banesën, përveçse kur ushtrojnë sportet në ambientet e izoluara.

Penaliteti për personat që gjenden pa maskë me vete varion nga 400 deri 1 mijë euro.

Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza, thotë se maskat e fytyrës janë instrumenti mbrojtës më efektiv ndaj infeksionit të kovidit kur mungon vaksina.

“Dekreti i qeverisë e zgjeron në rang kombëtar përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambientet e jashtme. Qytetarëve u themi, të sforcohemi edhe pak sepse sa herë që rrezikojmë të takohemi me njerëz të cilët nuk jetojnë me ne, duhet ta kemi maskën me vete.”

Në fillim maskat në Itali qenë të detyrueshme vetëm për ambientet e mbyllura, por aktualisht ato mbahen me detyrim edhe jashtë në Romë dhe në disa prej qyteteve italiane.

Italia është vendi evropian ku virusi korona zgjeroi fillimisht vatrën e vet.

Edhe në dy muajt e fundit vërehet një rritje progresive e rasteve me infeksionin vdekjeprurës, duke arritur në afro 3 mijë të infektuar të rinj brenda ditës fundjavën e shkuar.

Situata duket se i ka ndërgjegjësuar qytetarët në kryeqytet për t’u mbrojtur më shumë.

“Ka shumë njerëz që shkujdesen dhe i flasin njëri-tjetrit nga afër pa masa mbrojtëse. Tani me maskat e detyrueshme, rreziku do jetë më i ulët. Maskat janë edhe shenjë respekti për të tjerët. Njerëzit të mos tallen me një virus që vret. Unë nuk avokate, nuk jam as doktoreshë, as eksperte, prandaj t’ua lëmë atyre të na japin këshilla.”

Çdo ditë në Itali humbin jetën më pak se 30 persona, ndryshe nga muaji mars kur bilanci ditor arrinte 1 mijë, ndërkohë që totali i jetëve të humbura nga koronavirusi i ri ka shkuar në 36 mijë.

Të mërkurën, parlamenti italian votoi me shumicë zgjatjen deri më 31 janar 2021 të afatit të gjendjes së jashtëzakonshme prej pandemisë.