Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha dhe pasojat pas këtij akti tragjik duke nisur me dorëheqjen e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj dhe deri te protestat e përditshme në Tiranë e në shumë qytete të tjera, është tema e sotme në “Tempora” në RTV Ora.

Por nuk u anashkalua as shoqërimi në komisariat dhe dhuna ndaj gazetarit të RTV Ora, Xhoi Malësia.

“Deri tani kam bërë një procedim penal në Prokurorinë e Tiranës nga dita e shtunë. Jam ende në pritje pasi i takon prokurorit që brenda dy javëve të përcaktojë nëse ka konsum ose jo të veprës penale“, tregoi Malësia.

Sonila Meço: Cili është kallëzimi yt penal?

Xhoi Malësia:Shpërdorim detyre nga ana e efektivëve të Policisë. Do ndjekim gjithashtu çështjen në rrugë administrative me një denoncim pranë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave . Do paraqes edhe një padi civile për dëm moral”.

Sonila Meço: Cilat janë pretendimet e tua?

Xhoi Malësia: “Pretendimet e mia janë që, unë jam privuar nga të drejtat dhe liritë themelore qoftë si qytetar, qoftë edhe si gazetar. Pasi ka një pretendim se unë nuk kam qenë me bexh. Fakti që kam qenë në transmetim të drejtëpërdrejtë vërtetohet që unë kam qenë në punë. Meqë e kanë lakuar shumë këtë që nuk kam patur bexh, dua ti them Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit 7-8 foto ku policia nuk ka patur numra. Ligji për Policinë e Shtetit duhet të jetë gjithmonë e identifikueshme. Kanë ndonjë gjë për të thënë?“.

Gazetari përsëriti edhe një herë apelin e tij që të hapen kamerat e komisariatit nr.2 në Tiranë për të vërtetuar nëse ka patur dhunë ndaj tij apo jo.