Sebino Plaku, blerja më e re e Teutës, në një intervistë për “Sport Magazine” në Ora News, ka folur për eksperiencën e tij të re në Superligë dhe largimin surprizë nga Kastrioti.

Sipas sulmuesit 35-vjeçar, transferimi te Teuta ishte një dëshirë që në merkaton e janarit, ndërsa shtoi se ndarja me skuadrën krutane ka qenë me mirëkuptimin e të dyja palëve.

“Ishte një vendim që u mor nga të dyja palët. Por mbi të gjitha me insistimin tim sepse që në verë kam qenë i interesuar për të shkuar te ekipi i Teutës. Nuk u realizua atë kohë dhe unë doja shumë të realizohej në këtë periudhë për vetë faktin për situatën që po kalon Teuta që ka, po e quajmë, objektiva madhore”, u shpreh sulmuesi me eksperiencë.

I pyetur nga gazetari Drilon Xhepollari nëse është Durrësi ambienti i duhur për të shfaqur potencialin, Plaku u përgjigj:

“Po. Mendoj se po. Prandaj dhe ka qenë insistimi im shumë i madh. Në këtë rast u realizua falë presidentit të Teutës, Hasanbelliu dhe për këtë e falënderoj sepse ishte një moment që unë e doja shumë këtë ndryshim”