Dy arkivole të vegjël të bardhë parakaluan në fushën e sportit të Gessate (Milano), mes duartrokitjeve dhe lotëve, ku u zhvillua funerali i Elena dhe Diego Bressit, dy fëmijëve binjakë që u vranë nga babai i tyre në Margno (Lecco).

Ceremonia u shoqërua nga tingujt e këngës “Un senso” të Vasco Rossit.

“Dua të gjej kuptim në këtë jetë, edhe nëse kjo jetë nuk ka asnjë kuptim” thuhet ndër të tjera në vargjet e këngës.

Mbi arkivolët e  vegjël nuk kishte lule, vetëm një bluzë futbolli ngjyrë e kaltër e Digos së vogël.

“Përshëndetje xhuxhë, unë ende nuk mund ta kuptoj se nuk do të mund tu shoh më, tu përqafoj, tu dëgjoj zërin tuaj duke thirrur “nënë”. Ju përqafoj dhe ju them se gjithçka do të shkojë mirë, megjithë të keqen që ju është shkaktuar. Kam qenë me fat që isha nëna juaj dhe u kërkoj të gjithëve t’ju kujtojnë duke buzëqeshur, jo në lot. Për sa kohë që unë do të emocionohem duke dëgjuar emrat tuaj, do të di që kjo dhunë dhe padrejtësi e madhe nuk ka fituar. Do të më mungoni shumë” ishte mesazhi i nënës Daniela që u lexua nga një mik i familjes në fund të ceremonisë.

Ceremonia mbaroi me hedhjen e dhjetëra tullumbaceve të bardha në qiell në mesin e qindra njerëzve të mbledhur në fushën e sportit.