Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, pak ditë pasi u arrestua nga Prokuroria e Posaçme të enjten me 24 shtator dhe u transferua në njësinë e paraburgimit në Hagë.

Salih Mustafa nuk ka bërë asnjë deklaratë lidhur me akuzat kundër tij, ndërsa është shprehur se do të flasë vetëm pasi të konsultohet me avokatin mbrojtës.

Gjyqtari i procedurës paraprake konfirmoi aktakuzën e paraqitur nga Prokuroria Speciale kundër Mustafës, për katër vepra penale: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Ish-shefi i Inteligjencës së FSK-së arrestua në Kosovë disa ditë më parë dhe u transferua në paraburgim në Hagë.

Ai u bë zyrtari i pari i UÇK-së, ndaj të cilit Gjykata Speciale lëshoi urdhër-arresti.

Mustafa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërsa pas luftës kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ai kishte shërbyer edhe si këshilltar i ish kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, i cili gjatë luftës kishte shërbyer si komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Të enjten më 25 shtator, prokuroria e posaçme arrestoi kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, dhe nënkryetarin e kësaj organizate Nasim Haradinaj, nën dyshimet “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Organizata e Veteranëve të Luftës në tri raste gjatë këtij muaji tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.