Irani përkujton 1 vjetorin e vrasjes së gjeneral Soleimanit

Irani përkujton 1 vjetorin e vrasjes së gjeneral Soleimanit

Irani përkujtoi të dielën një vjetorin e vrasjes së kryegjeneralit të vendit, Kasem Solejmani, atentat i cili rrezikoi shpërthimin e një lufte të vërtetë me Amerikën.

Solejmani bashkë me liderin e një grupi militant irakian, Abu Mahdi al-Muhandis, u eliminuan vitin e shkuar nga një dron luftarak amerikan, me arsyen se po planifikonin sulme terroriste.

Fotot e dy të ndjerëve u vendosën anës rrugës së aeroportit të kryeqytetit ku ata kaluan për herë të fundit, mes qirinjve të ndezur dhe shenjave ende të dukshme të sulmit të 3 janarit 2020.

Solejmani ishte kryetari i forcave më elitë të Iranit, i ngarkuar me operacionet e jashtme, që, sipas Uashingtonit, kishin për qëllim destabilizimin e rajonit.

Pas vrasjes së gjeneralit, në shenjë hakmarrjeje, më 8 janar 2020, Irani reagoi duke sulmuar me raketa një bazë amerikane në Irak.

Ndërkohë më tragjik rezultoi sulmi i pak orëve më vonë ndaj një avioni civil ukrainas, i pandehur gabimisht si avion luftarak, e duke lënë për pasojë 176 pasagjerë të vrarë.

Në përvjetorin e parë të vrasjes së gjeneral Solejmanit, SHBA-ja dhe vendet si Izraeli apo Arabia Saudite kanë rritur vigjilencën për skenarin e sulmeve të tjera hakmarrëse nga Irani.

Ushtria amerikane mësohet se fluturoi një ditë më parë dy avionë bombardues mbi Gjirin Persik.

Në një letër dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Irani ndërkaq e kritikoi atë që e quajti "aventurizëm ushtarak" të Amerikës në rajon.

Ndërkohë, Teherani paralajmëroi të shtunën se ka informacione që agjentë nga Izraeli po planifikojnë sulme provokuese në Amerikë, për t'ia ngarkuar më pas fajin Iranit e për të justifikuar kështu nisjen e një lufte ballore mes iranianëve dhe amerikanëve.

Bota Lajme Lindje e Mesme irani Qassem Soleimani

EMISIONET