Në një lidhje me Skype për emisionin “Ora Sport” në RTV Ora, ish sulmuesi dhe zv.trajneri aktual i Kombëtares Hamdi Salihi ka folur rreth situatës në kampin kuqezi, teknikut Edi Reja dhe mungesës së golave në ndeshjet e fundit.

“Trajneri e ka thënë që ditën e parë se nuk ka qejf të bëjë lëvizje të mëdha, në rreshtim etj. Nuk është tipi që i pëlqen të bëjë eksperimente të mëdha”, tha Salihi për teknikun Reja.

I pyetur se pse mungojnë golat në kombëtare dhe se ku qëndron problemi, Salihi është shprehur se, në dy ndeshjet e fundit rastet për gol nuk kanë munguar por mungesa e fatit dhe qetësia e sulmuesve të rinj në moshë para porte kanë bërë diferencën.

E vërteta është se, një ekip kur nuk funksionon në një fazë nuk funksionon si ekip. Nuk e ve dot gishtin te një lojtar ose pozicion se do ishte shumë e  thjeshtë, ndërrion atë dhe rregullon problemin. Për mendimin tim, rastet për gol në dy ndeshjet e fundit, ikemi patur si asnjëherë më parë. Ka qenë aftësia e sulmuesve për të krijuar raste por fati… Dhe kanë qenë sulmues të rinj, si Broja apo Seferi, të cilët me më pak fat dhe me më pak më shumë qetësi para porte…”, tha zv.trajneri i Kombëtares Hamdi Salihi.

Sipas Salihit, disa prej futbollistëve të Kombëtares u duhet më shumë minuta me klubet e tyre për të rritur besimin.