Kryetari i Kuvendit  Gramoz Ruçi ka njohur vendet anëtare të BE me planin e veprimit për përpmbushjen e përparësive të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Europian. Ruçi u ka dërguar këtë dokument homologëve të tij të Parlamenteve dhe Senateve të shteteve anëtare të Unionit për t’i informuar për hapat dhe angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Ai bën me dije se Kuvendi po jep një kontribut kyç në rrugëtimin europian të vendit tonë, duke garantuar legjitimitetin demokratik dhe kontrollin ligjor e politik të procesit dhe përputhshmërinë e ligjeve me standartet e BE-së, duke garantuar një cilësi më të mirë të legjislacionit kombëtar.

Kryeparlamentare kërkon të bindë shtetet se Kuvendi i Shqipërisë është gjithashtu i angazhuar në mbështetjen e reformave të rëndësishme në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, si reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi.

Në fund të letrës së tij, Ruçi kërkon që mbështetja e parlameteve të vendeve anëtare të vijojë deri në çeljen e  negociatave mes Shqipërisë dhe BE.

Reforma zgjedhore dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese janë dy nga kushtet më të rëndësishmë që vendi ynë duhet të plotësojë për të shkuar drejt konferencës së parë ndërqeveritare.