Mundësitë e Shqipërisë për të marrë një përgjigje pozitive për negociatat për këtë vit kanë mbetur vetëm në letër.

Ambasadorët e shteteve anëtare të unionit nuk kanë rënë dakord për një tekst të dakordësuar përsa i përket vendit tonë, ku Holanda ka kërkuar plotësimin e kushteve nga qeveria shqiptare të vendosura në mars nga Këshilli Europian.  

Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Ligji i Medias janë dy detyrat që Shqipëria duhet të plotësojë para se të marrë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare

Në datat 7 dhe 8 dhjetor pritet të diskutohen negociatat me Tiranën zyrtare dhe Maqedoninë e Veriut dhe nësë nuk do të ketë dakordësi, siç pritet të ndodhë, në takimin e udhëheqësve me 10 dhe 11 dhjetori këto dy shtete nuk do të jenë fare në axhendën e tryezës.
Ndërkombëtarët, më shumë se autoritetet shqiptare, po kërkojnë me ngulm bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese. SHBA nënvizon faktin se kjo çëshjte ka të bëjë me vullnetin dhe se nuk duhet abuzuar me procesin.

KED duhet të takohet këtë javë për të përfunduar vlerësimin dhe për të dërguar listën e kandidatëve në Presidencë dhe Parlament. Proceset duhet të respektohen, por jo të keqpërdoren. Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese nuk mund të jetë funksionale deri më 31 dhjetor. Është çështje vullneti. Udhëheqësit duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë.

Ndërsa kreu i delegacionit të BE në Tiranë Luigi Soreca në twitter, ashtu si vendet skeptike të BE, i ka kujtuar autoriteteve shqiptare që Gjykata Kushtetuese është kusht për Shqipërinë për tu ulur në tryezën e parë ndërqeveritare.

Për të gjitha këto zhvillime qeveria shqiptare nuk ka patur reagime dhe në ato pak deklarata publike ka bërë fajtore konfliktin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Lexo dhe: Gjykata Kushtetuese/ Kim: Asnjë arsye që mos jetë funksionale; Soreca: Kusht për integrimin