Bashkimi Europian mbështet Shqipërinë për integrimin, por më parë do të duhet të plotësohet Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese. Me këtë deklaratë, Ambasadori gjerman thekson se për negociatat më parë do të duhet të plotësohen detyrat.

Ashtu si Ambasadori i Bashkimit Europian, edhe Gjermania nënvizon mbështetjen për Shqipërinë në integrimin në BE.

Një ditë pasi, Luigi Soreca, i kujtoi kryeministrit se Unioni vazhdon të flasë me vendin tonë, përfaqësuesi i Merkel, Peter Zingraf, thekson se bisedimet do të vazhdojnë pas plotësimit të kushteve, ku sërish mbeten gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë.

Zingraf: Shqipëria ka bërë hapa përpara. Ka marrë “po” për bisedimet për anëtarësimin në BE, çështja është se kur do të nisin ato, sepse janë disa kushte për t’u përmbushur.

Kancelarja ka theksuar para pak ditësh dyert për Shqipërinë janë të hapura po punojmë intensivisht për këtë qëllim, por siç e keni vënë re Covidi ka qenë një sfidë  që na ka mbajtur të angazhuar të gjithë vendet dhe na është dashur që të punojmë me menaxhimin e kësaj sfide.

Presidenca gjermane është angazhuar në përballimin e kësaj sfide. Unë mendoj që përqendrimi i presidencës gjermane, i BE në menaxhimin e pasojave të kësaj krize nuk besoj se ka qenë negative për Shqipërinë, sepse një BE i fortë dhe solid është një partner më i fortë për Shqipërinë.

Kjo është treguar më së miri pas tërmetit apo krizës së Covid. Një BE kaq i fuqishëm do të ishte një partner edhe më i mirë për Shqipërinë.

Shqipëria ka shumë për të bërë, janë kushte për tu plotësuar këtë s’duhet ta bëjë për Brukselin apo Berlinin, por për vete vetëndin, sepse këto kushte janë në të mirë të shqiptarëve, siç është Gjykata e Lartë dhe kushtet e tjera. Unë pres nga aktorët dhe instancat përgjegjëse në vend që të bëhet puna e duhur në plotësimin e kushteve.

Tensionet politike nuk e shqetësojnë Ambasadorin, pasi ai sërish shikon dritë në fund të tunelit.

Zingraf: Jemi në mes të një fushate elektorale dhe në këto kohë gjenden përherë arsye pozitive për të ecur para.

KED ka nisur diskutimet për emrat e dërguar nga Presidenti dhe Parlamenti për në Gjykatën Kushtetuese, teksa ende nuk është gjetur zgjidhja për propozimet e Gjykatës së Lartë.