Informalitet i lartë në Shqipëri, 344 mld lekë jashtë bankave
Më shumë se 344 miliardë lekë qarkulluan jashtë bankave në Shqipëri, në fund të vitit 2020.
Këto janë të dhënat e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave është shënuar niveli më i lartë historik që prej vitit 2002 kur raportohet ky tregues.
Kjo vlerë ka shënuar dhe rritjen më të fortë vjetore me 53 miliardë lekë.
Mesa duket edhe pandemia e koronavirusit ka ndikuar në shtimin e qarkullimit të parasë cash, pavarësisht masave të marra nga autoritetet për të nxitur përdorimin e industrisë bankare.
Që nga fundi i shkurtit, përpara se të fillonte pandemia ky tregues ka ndryshuar me 55 miliardë lekë më shumë
Në raport me paranë gjithsej, jashtë sistemit bankar qarkullonte në fund të dhjetorit 23.6% e totalit.
Sipas ekspertëve qarkullimi i parasë cash është një tregues i informalitetit të lartë në vend.
Niveli i parasë jashtë bankave prej gati 24% të totalit është shumë më i lartë se i mesatares se Bashkimit Europian dhe në rajon.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Europiane, në Eurozonë niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9% e totalit. Edhe në rajon ky tregues është më i ulët se 10%.