Në Indi mendohet se pandemia e koronavirusit të ri mund të ketë infektuar më shumë se 60 milionë njerëz apo 10-fishin e atyre që raportohen.

Sipas të dhënave zyrtare, vendi me 1,3 miliardë banorë renditet i dyti pas SHBA-së me mbi 6 milionë persona të infektuar që nga muaji janar, ndërsa viktimat po arrijnë rekordin tragjik të 100 mijë jetëve të humbura.

Por agjencia shtetërore për pandemisë druan se bilanci edhe pse serioz, nuk tregon realitetin.

Një studim për praninë e antitrupave mes 30 mijë banorëve në 21 territore tregoi të martën se 1 në 15 persona të moshës mbi 10 vjeç rezultonin se ishin ekspozuar ndaj virusit SARS-CoV-2 në muajin gusht.

Norma e infeksionit ishte më e lartë mes banorëve në lagjet e varfra urbane, më e ulët në zonat jo të varfra dhe akoma më pak i rrezikshëm në zonat rurale.

Qeveria indiane i hoqi gradualisht masat e rrepta antikovid në muajin mars, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së ekonomisë nga goditja, edhe pse vala e infeksionit sa vinte e përhapej.

Ndërkaq, në botë, India, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Brazili, konfirmojnë së bashku 45 për qind të të gjitha vdekjeve nga koronavirusi i ri.

Vala e dytë e infeksionit po bëhet gjithnjë e më ndjeshme edhe në Europë, ku shtetet po njoftojnë rekorde ditore më të larta sesa gjatë pranverës, dhe masa të reja parandaluese.

Franca raportoi mbi 8 mijë bartës të rinj të kovidit në 24 orë, Britania, mbi 7 mijë apo shifrën më të lartë ndonjëherë dhe Spanja me 2,500 të infektuarit e rinj e çoi totalin kombëtar në 760 mijë.

“Deri më tani e kemi kaluar pandeminë relativisht mirë falë sjelljes jashtëzakonisht të përgjegjshme të qytetarëve, por me ardhjen e vjeshtës, na pret faza e vështirë. Muajt në vazhdim do të jenë më të vështirët e të gjithë vitit,” u deklaroi deputetëve gjermanë, kancelarja Angela Merkel.

Bazuar në llogaritjet e muajit shtator, pandemia e kovidit-19 në botë shkakton rreth 5,400 vdekje çdo ditë apo çdo 16 sekonda 1 person në botë humb jetën për shkak të sëmundjes infektive.