Ulja e një avioni në kushte moti të rënduar ka rezultuar fatale për pasagjerët e një kompanie ajrore indiane me kosto të ulët. Mjeti fluturues në kontakt me terrenin u nda përgjysmë ndërsa pjesa më e madhe e personave arritën të shpëtohen.

Të paktën 18 pasagjerë, përfshirë dy pilotët e një avioni, mbetën viktima të premten mbrëma gjatë uljes në shtetin jugor të Keralës në Indi.

Avioni i linjës “Air India Express”, i modelit Boeing 737, ishte nisur nga Dubai me 184 persona dhe 6 pjesëtarë të ekuipazhit në bord kur tentoi zbritjen në aeroportin e Kalikatit.

Për shkak të fushëpamjes tejet të kufizuar prej reshjeve të dendura dhe trafikut, tentativa e parë e pilotëve dështoi.

Autoriteti Aeroportual i Indisë njoftoi se në tentativën e dytë, pilotët provuan një drejtim tjetër, por gabimisht zgjodhën një korsi lidhëse rreth 1 mijë metra larg pistës kryesore.

Dëshmitarët thanë se rënia në një zonë të thelluar jashtë korsisë shkaktoi një përplasje të fortë duke sjellë ndarjen përgjysmë të trupit të mjetit fluturues.

“Pilotët u munduan shumë për një zbritje sa më të sigurt në rrethanat e motit me shi. Kishte re dhe ora ishte afërsisht 7, 7 e 30 e mbrëmjes. Në tentativën e dytë goma e avionit rrëshqiti. Në të majtë kishte një thellësirë mbi 10 metra. Aty ndodhi çarja dhe avioni u nda në dy gjysma.”

Mbi 150 pasagjerë u dërguan në orët e mbrëmjes për ndihmë spitalore, mes tyre foshnja dhe fëmijë të moshave 2 deri 8 vjeç.

Shumë prej tyre po riatdhesoheshin nga kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe prej pandemisë së koronavirusit dhe mundën të shpëtoheshin përpara se avioni të merrte flakë.

Një prej viktimave rezultoi pozitiv në testin e kovidit-19, por testimit do i nënshtrohen edhe pasagjerët e tjerë.

Pas operacioneve që zgjatën deri në mesnatë, autoritetet thanë se kanë gjetur kutinë e zezë të avionit për të zbuluar shkëmbimet e fundit mes pilotëve dhe informacionet mbi fluturimin.

Në gjithë rajonin indian të Keralës qëndrojnë në fuqi urdhrat prej rrezikut të shirave të rrëmbyer stinorë dhe rrëshqitjeve të dheut që u kanë marrë jetën deri tani mbi 20 personave.