Aleksandër Çipa, gazetar dhe analist, si dhe kryetar i Unionit të Gazetarëve, në një intervistë për RTV Ora ka komentuar përplasjen e fundit të kryeministrit Edi Rama me gazetarët në “Opinion”.

Sipas tij, politika ka nisur një parafushatë si asnjëherë tjetër më parë, çka e bën më të zgjatur fushatën elektorale në vend.

Aleksandër Çipa: “Më la shije të hidhur, një shije të padëshiruar në raportet mes politikës dhe gazetarisë. Ajo që unë dua ta konsideroj si një shqetësim për opinionin publik ka të bëjë me faktin se ka një lloj parafushate, e cila po e zgjat si asnjëherë tjetër fushatën elektorale në pikëpamjen kohore në Shqipëri.

Ne na duhen edhe 7 muaj deri në 25 prill dhe deri atëherë, përgjatë këtyre muajve, duhet të kemi tension verbal në të gjithë ligjërimin politik. Të kemi një marrëdhënie kaq antagoniste midis medias, sipas të gjitha gjasave dhe qeverisë në mënyrë të posaçme.

Por fatkeqësisht shoh se në këtë kontradiktë kaq antagoniste, polemikë verbale, po përfshihen vetëm aktorët e fushatës elektorale, pozitë dhe opozitë. Ka një tension komunikativ edhe në institucione të tjera që duhej të ishin jashtë fushate”.

A po tentohet që përmes këtyre debateve dhe tensioneve të shmanget vëmendja nga denoncimet e opozitës për inceneratorët?

Aleksandër Çipa: “Pranohet dhe ky opsion, version. Ne jemi para një fushate elektorale dhe kjo ka filluar më herët se herë të tjera. Për shkak të qeverisjes 8-vjeçare zoti Rama do të përballet në këtë fushatë jo me një por me disa dosje që lidhen, në mos në perceptimin si afera, më së paku edhe me akuza të drejtëpërdrejta shpërdorimesh të aseteve publike, sidomos të modelit ekonomik që ai implementoi përgjatë mandatit të dytë qeverisjes, dhe këtu kam parasysh modelin e PPP-ve. Apo mënyrën se si ai i ka administruar raportet me pushtetet e tjera. Vini re, është shpërbërë si asnjëherë më parë raporti mes ekzekutivit qëndror me atë bazik. Sot, kryeministri është ai person autoritar që delegon  nënkryetarë bashkie në qytete të ndryshme të vendit duke shmangur një të drjtë ekskluzive që e  ka kryetari që zgjidhet”.