Ilirian Celibashi rikthehet në krye të KQZ, por këtë radhë me strukturën e re të këtij institucioni. Ndërkaq detyrën e implementimit të teknologjisë në votimet e 25 prillit e ka marrë Lealba Pelinku. Po ashtu në Kuvend janë votuar dhe strukturat e reja të organizimit të votimeve.

Parlamenti ka miratuar 12 emrat e rinj që do të drejtojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili sipas marrëveshjes së 4 qershorit do të ketë në përbërje 4 struktura.

Ilirjan Celibashi, njeriu i besuar i PS-së, rikthehet në krye të këtij institucioni pasi mori konsensusin e mazhorancës, të opozitës në parlament dhe jashtë saj.

Celibashi do të jetë komisioneri i ri shtetëror me një mandat 7 vjeçar, i cili do të ketë rolin e administratorit dhe do të përfaqësojë KQZ në marrëdhënie me institucionet e tjera.

Gjithashtu edhe e zgjedhura e PD për t’u marrë me implementimin e teknologjisë në zgjedhje arriti të marrë 105 në parlament.

Me 107 vota u miratua lista me 5 anëtarët e Komisionit Rregullator, 3 të PS dhe 2 të opozitës së bashkuar.

Ky organ me mandat 7 vjeçar ka si detyrë administrimin e zgjedhjeve.

Nga komisioni i posaçëm, në detyrën e anëtarit të Komisionit Rregullator të Zgjedhjeve ishin përzgjedhur:

  1. znj. Ilirjana Nano
  2. z. Dritan Çaka
  3. z. Arens Çela
  4. z. Muharrem Çakaj
  5. znj. Helga Vukaj

Ndërsa 5 anëtarët e KAS morën 105 vota nga PS dhe pakica për të marrë detyrën në një afat 9 vjeçar.

Por emri i Ilir Rusmalit, anëtari i KAS, u përdor politikisht nga kryeministri Rama për të ironizuar PD që e skualifikoi.

Nga komisioni i posaçëm, në detyrën e anëtarit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve ishin përzgjedhur:

  1. z. Ilirjan Rusmali
  2. z. Elvin Lako
  3. z. Koli Bele
  4. z. Elvis Çefa
  5. z. Ledio Braho

Sfida e kësaj KQZ, në veçanti e nënkomisioneres Lealba Pelingu, do të jetë futja e teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit.

Kujtojmë se, pak minuta më parë, Parlamentiu miratoi Kodin e ri Zgjedhor me 97 vota Pro, 15 Kundër dhe 5 Abstenim.

“CV”-ja e Ilirjan Celibashit:

Ilirjan Celibashi u lind më 2 tetor 1969, në Çorovodë, Skrapar. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës dhe në përfundim të tyre, në vitin 1992, u diplomua “Ju­rist”.

Në korrik të vitit 1992, ai u emërua Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Fier, e më pas u emërua Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë, Mallakastër, funksion të cilin e ushtroi deri në janar të vitit 1998. Gjithashtu, ai ka shërbyer si Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit, Durrës.

Në tetor 1998, u emërua Zëvendësministër i Rendit Publik. Në periudhën 2001 – 2006, ai u zgjodh Kryetar i Komi­sionit Qendror të Zgjedhjeve. Nën drejtimin e z. Ilirjan Celibashi, KQZ përgatiti dhe administroi Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2001 dhe 2005, si dhe Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të vitit 2003.

Në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, të 23 qershorit 2013, z. Celibashi u zgjodh deputet i Qarkut të Fierit, për Partinë Socialiste. Z. Il­irjan Celibashi ka marrë pjesë në një sërë kursesh dhe seminaresh për specializim në fushën e së drejtës.

Ai ka qenë pjesëmarrës dhe referues në takime dhe ak­tivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si gjatë periudhës kur ai ushtronte funksionin e gjyqtarit, po ashtu edhe në periudhën kur ai ishte Kryetar i KQZ-së.

Ilirjan Celibashi në vitin 2013 zgjidhet Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin i Shqipërisë.