Pas letrës së presidentit Ilir Meta dërguar ministres së Shëndetësisë dhe poër dijeni kryeministrit lidhur me masat e marra për situatën e rënduar me Covid-19 dhe pas përgjigjes së Edi Ramës, reagon edhe zëdhënësi i presidencës, Tedi Blushi.

Përmes një postimi në Facebook, Blushi, i ndikuar nga përgjigja e shefit të qeverisë, i kujton këtij të fundit edhe kompetencat e presidentit të Republikës.

Ilir s’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore. Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia, mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s’po bën prej kohësh!”, replikoi Rama në distancë me kreun e shtetit përmes një postimi në facebook.

Por ndryshe mendon Blushi, i cili citon edhe Kushtetutën.

Reagimi i plotë i Tedi Blushit:

Shumë i shqetësuar nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrit të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve që kanë humbur jetën, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, sikundër u bë sot publike, i është drejtuar me një letër zyrtare ministres së Shëndetësisë, Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit, në respekt edhe të Kushtetutës:

NENI 23, PIKA 2:

“Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore”

NENI 93, GËRMA “H”

Presidenti ushtron edhe këto kompetenca: h) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre“.

Kryeministri ende në detyrë, së pari bën mirë të lexojë me kujdes të vetmen Kushtetutë që ekziston në Republikën e Shqipërisë. Së dyti i kujtojmë se është dekretuar për të qenë edhe ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, dhe jo ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Presidenti Meta ka bërë gjithçka, brenda kompetencave që i jep Kushtetuta dhe ligji, për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19 dhe i kujtojmë Kryeministrit ende në detyrë se edhe ai vetë e ka falenderuar publikisht për këtë.Presidenti Meta pret me shumë durim përgjigje për të gjitha pyetjet e adresuara sot ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sikundër është në pritje, në vijim edhe të komunikimit të drejtpërdrejtë që ka patur me znj.Manastirliu, për të sjellë propozime për vlerësimin e figurave të shquara të mjekëve e infermierëve me kontribut të vyer në luftën kundër COVID-19.