Sot RTV Ora dhe Ora News nuk kanë një administrator shtetëror por dy. Një vendim i tillë përkon çuditërisht disa ditë pas publikimit të lajmit investigativ nga emisioni BOOM për zhvendosjen e qytetarëve pa njoftim nga njësitë e tyre të banimit.

Edhe ish kryeministri Sali Berisha përmes një postimi në facebook denoncoi largimin administratorit  Arjan Baçi dhe zëvendësimin e tij me dy administrator, “dy njerëz pranë qeverisë.”

Duke dënuar “me ashpërsinë më të madhe veprimet banditeske të Edvin Hajdutit dhe gjeneral Hashashit” Berisha i bën thirrje organizatave ndërkombëtare të mediave të mbrojnë gazetarët e ORA News nga sulmet banditeske të Edvin Hajduti.

Në një intervistë në studion e Ora News, Drejtori i Informacionit në RTV Ora Brahim Shima e quan presion dhe nënvizon se nuk do të tolerohet asnjë ndërhyrje.

Brahim Shima: “Unë kam dyshimet e mia që ky veprim nuk është bërë për shkak se administrator i parë ishte i sëmurë dhe jep dorëheqjen në mënyrë të papritur për të vazhduar kurimin. Sidoqoftë i urojmë shërim të shpejtë. Fakti që vijnë nga 1, 2 adminstratorë do të thotë që gjithçka është e qëllimshme.

Nuk mjaftonte 1 por duhen dy. Është një formë presioni që i bëhet gazetarëve. Janë dy trima që do të rrinë barrierë dhe të gjithë punonjësit do të përballen me ta.

Dy zyrtarë të shtetit që do të punojnë në mbrojtje të kujt? Më duket e pakuptimtë. E pakuptimë është dhe kur ka dhënë dorëheqjen administrator i parë i cili duhej të kishte përfunduar më parë angazhimet që ka pasur ndaj televizionit por që me dijeninë time nuk janë përfunduar. Shpresoj që këto dy administratorë të kujdesen më shumë për punën që kanë si administrator dhe të mos merren me lajme apo punonjësit. Shpresoj që të jetë kështu deri në fund dhe ti qëndrojnë kësaj përkundrazi nuk do të toleroj në asnjë moment ndërhyrjen në emisione, lajme, emisione investigative. Kjo është pika që nuk kalohet”

Ora News dhe RTV Ora nga 1 shtatori ka vijuar me programacion të plotë prandaj Shima nuk përjashton mundësinë se janë bërë telefonata për të ndryshuar lajme.

Brahim Shima: Unë nuk përjashtoj mundësinë që të jenë bërë telefonata për të ndryshuar apo për të mos lejuar vazhdimin e mëtejshëm të lajmeve që konsiderohen kritike por që për mua janë lajme të gazetarëve, pasqyrim I realitetit siç është.

Nuk besoj se i kanë pëlqyer emisionet që kanë nisur me Alfred Lelën, Sonila Meçon, Dritan Hilën. Dhe kanë menduar që mënyra më e mirë është të çojmë dy burra azganë që do rrinë aty dhe gudulisin gazetarët. Unë them me bindje që nuk ka asnjë gazetar që trembet nga veprime të tilla, madje shton adrenalinën.


Një gazetar nuk ka frikë nga budallalliqe të tilla por janë thjesht gudulisje apo pjese ë një muhabet tavoline, kjo ishte dhe arsye që ne nuk donim të reagonim por fakti që Berisha e bëri publike jemi të detyruar të bëjmë reagimin tonë dhe të themi gjërat siç janë.”

Nuk tolerojme asnje nderhyrje

Shima paralajmëron se nuk do të lejojë asnjë ndërhyrje në linjën editorial dhe i kujtoi se detyra e tyre është të mbledhë detyrimet e prapambetura që kanë krijuar kompanitë mes tyre dhe PS-së kundrejt televizionit. Një detyrë që administratori Baci nuk arriti ta bënte.

Brahim Shima: Ne si television jemi ndarë nga çështja gjyqësore e zotit Ndroqi. Zoti Ndroqi do të përballet vetë në gjyktë. Unë ngre pyetjen çfarë duan dy administrator në një institucion shtetëror. Unë nuk do të lejoj që një administrator të thërrasë gazetarët për të treguar lajmin që është duke ndjekur apo si duhet trajtuar.

Këto janë të papranueshme. A është sekret siç u tentua që do të marrim arkivën e televizionit Ora apo problematika të tjera që nuk duam të japim sepse nuk kanë të bëjnë me këtë hetim kjo është e ndaluar. Roli I tyre si administratorë, meqë janë dhe dy, sepse njëri nuk ia doli është të mbledhë detyrimet e pambledhura që kanë kompanitë që kanë bërë reklamë kundrejt televizionit, duke kthyer vëmendjen tek PS.

Administratori në vend që t’i mblidhte janë shtuar borxhet. Detyra e tyre është të krijojë mbarëvajtjen e televizionit. Sepse nuk kemi të bëjmë me një bar kafe por me television dhe televizioni mbahet me reklama. Zotërinjtë të dalin të mbledhin reklama dhe të vazhdojë mbarëvajtja e punës. Nëse kanë ardhur me idenë që do të rrimë në zyrë apo tek lulishtja atëherë ata kanë ardhur për tjetër gjë. 

Në momentin që do më mblidhen ende detyrime të tjera të prapambetura atëherë nuk më mbetet gjë tjetër vetëm ta quaj të qëllimshme. Kjo është detyrë me ligj që të mos lejojnë të ulen të ardhurat apo detyrimet e prapambetura. E them me bindje që në këtë televizion askush nuk është i përjetshëm por televizioni do të vazhdojë edhe më tej”

Lexo me shume: “Rama dhe Lleshaj sulm të ri banditesk”, Berisha apel organizatave ndërkombëtare: Mbroni gazetarët e Ora News

Mos harro:
Kur nis sulmi politik ndaj RTV Ora dhe Ora News dhe si po vazhdon