Kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi, tha se Shqipëria nuk ka çfarë bisedon me Greqinë për kufijtë, pasi ka lëshuar 30% të territorit, Çamërinë, nga padrejtësitë historike në vitin 1913.

Shpëtim Idrizi: Qeveria shqiptare nuk duhet të pranojë më devizën e Greqisë dhe Serbisë se çfarë është e tyre është e tyre, dhe çfarë është e Shqipërisë është e diskutueshme. Shqipëria nuk ka çfarë të bisedojë për kufijtë detarë dhe tokësorë me Greqinë. Shqipëria ka lëshuar 30% të territorit të saj që nga padrejtësitë historike të vitit 1913, e kam fjalën për Çamërinë.

Sipas tij, deklarata e kryeminstrit Mitsotakis për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë me 12 milje në drejtim të Shqipërisë është një akt i paprecedentë.

Shpëtim Idrizi: ’’Shfrytëzova rastin për të shprehur shqetësimin te Presidenti i Republikës përsa i përket deklarimit të kryeministrit grek se do të paraqesë një projektligj ku Greqia do zgjerohet me 12 milje, një akt i paprecedentë, i cili prek në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipërinë. Opinioni publik është i shqetësuar sespse Ministri i Jashtëm grek ka deklaruar se qeveria shqiptare e ka dhënë dakordësinë.  Ky është një akt i rëndë dhe i paprecedentë, madje është thelluar akoma më shumë duke rritur shqetësimet e opinionit publik kur kryeminstri Rama tha se Greqia ka të drejtë ta bëjë këtë gjë.

Kreu i PDIU u shpreh se nëse Greqia do hapë çështjen e kufijve me Shqipërinë, atëherë do kërkohen territoret shqiptare.

Shpëtim Idrizi: Ne me Greqinë kemi për të biseduar vetëm për zonën eksluzive ekonomike. Nëse Greqia do të hapë çështjen e kufirit me Shqipërinë, ne do të kërkojmë territoret shqiptare, siç është Çamëria, të vendosur nga padrejtësitë historike të vitit 1913. I bëra të qartë Presidentit të Republikës, që bisedimet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, duhet të fillojë me heqjen e liojgit të kluftës, duhet të vazhdojë me çështjen çame. Asnjë qeveri nuk duhet të heshtë për gjenocidin ndaj çamëve.

Deklatarën, Idrizi e dha pas takimit në presidencë me presidentin Ilir Meta, ku u diskutua edhe për datën e zgjedhjeve.

Për Idrizin, zgjedhjet duhet të mbahen në datën më të shpejtë që e lejon kushtetuta, pasi sipas tij, vendi ndodhet në krizë të thellë politike, sociale dhe ekonomike.