Gjykata Supreme e Pakistanit ka vendosur që të lirohen katër personat e dënuar për rrëmbimin dhe vrasjen e gazetarit amerikan Daniel Pearl.

Pearl ishte me detyrë si shef i zyrës së Wall Street Journal në Azinë Jugore në vitin 2002 kur ai u rrëmbye në qytetin jugor të Pakistanit, Karachi, teksa ishte duke raportuar për Richard Reid terroristin britanik i njohur si “bombarduesi i këpucëve”.

Rrëmbimi i gazetarit mori vëmendje ndërkombëtare në mes të shqetësimit në rritje rreth kërcënimit nga terrorizmi radikal islam.

Sulmuesit më vonë e filmuan prerjen e kokës së Pearl dhe ia dërguan zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton Ora News.

Kjo ishte një ndër videot e para propagandistike, që shënjestronte pengje, të lëshuara nga ekstremistët që më pas ka frymëzuar grupe të tjera terroriste për të filmuar akte të tmerrshme dhune.

Katër persona ishin arrestuar në vitin 2002 dhe ishin dënuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Pearl. Shtetasi britanik, Ahmed Omar Saeed Sheikh, ishte dënuar me vdekje.