I.K, koha për të fabrikuar dhe thënë të pavërteta

I.K, koha për të fabrikuar dhe thënë të pavërteta

Në dt. 1 mars 2021, pas një seri shkrimesh  të gjata një mujore që filluan  me ditëlindjen e shkrimtarit Ismail Kadare, me urimet nga krerët më të lartë të shtetit, Presidenti, Kryetari opozitës etj.,  (veçoj urimin e Kryeministrit Edi Rama) në gazetën Panorama u publikua një pjesë nga libri  i sapo dalë nga shtëpia botuese ONUFRI “Kohë për rrëfim”.  “I konceptuar në trajtën e një interviste të gjatë me studiuesen dhe gazetaren Alda Bardhyli” - sipas Panoramës. Aty bëhet fjalë për Festivalin e 11 dhe pleniumin e IV te Komitetit Qëndror të Partisë ne lidhje me Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën dhe të tjerë, raportin e Kadaresë me këta, dhe rrezikun në të cilin gjendej ai në këtë situatë.

Përpara se të kalojmë tek pjesa e publikuar e librit, mendoj se duhet ndaluar  tek Kryeministri Edi Rama i cili me qëndrimin e tij për  Ismail Kadarenë na ndihmon shumë të kuptojmë këta libra si ky i Alda Bardhylit që ngjizet nga pushteti dhe lulëzon poshtë në shoqëri.

Edi Rama edhe nga  njohja  personale para 1990 që kam me të, dhe më pas me refleksionet me Kasem Trebeshinën e Ardian Klosin dhe Gavrosh Levonjën, por edhe me shkrimet e tij më pas ne “Revistën Përpjekja”, ka qene një kritik i ashpër për Ismail Kadare. Ai jo vetëm tallej me pseudonimin e shkrimeve te Kadaresë (Gent Arbana), por edhe me letërsinë e tij që e quante  shërbim i zellshëm ndaj regjimit diktatorial të Enver Hoxhës dhe realizmit socialist. Ai është tallur edhe me përsëritjen e të njëjtit qëndrim prej shërbyesi të Kadaresë ndaj pushtetarëve pas viteve 90. Ja çfarë shkruante Rama intelektual në një interviste në “Koha jonë” në vitin 1996:

“Ashtu si doktor Saliu në rolin e Presidentit të Republikës nuk i jep asgjë politikës, ashtu edhe letrari Kadare në rolin e opinionistit nuk i jep asgjë atyre që lexojnë me sytë e mendjes. Për të mos folur fare pastaj për artikujt dhe intervistat e kohës së ekzilit që janë dëshmi të një niveli të dobët intelektual, dhe mbi të gjitha moral, jo vetëm se përshkohen nga një konformizëm pervers me pushtetin, që fshihet pas mjegullës së një preokupimi të sforcuar për çështje madhore të kombit, por mbi të gjitha për frymën e rëndë autoritare ku, përmes adoptimit të ca aksiomave të universit letrar kadarejan, thuhen gjëra tepër arbitrare e të mërzitshme”

Në ditëlindjen e 85 të Kadaresë, Rama si kryeministër iu bashkua festimeve të ditëlindjes së tij në stilin e ditëlindjeve të udhëheqësve të partisë gjatë regjimit komunist. Një gjë e tillë  nuk ndodh në demokracitë perëndimore jo dhe jo, por as në Ballkanin folklorik dhe të miteve. Megjithëse kanë disa çmime Nobel në letërsi, kurrë nuk kemi dëgjuar dhe parë festime të tilla të bëra për së gjalli. Dhe më e  keqja, të shoqëruara me manipulime, falsifikim-fabrikime rreth jetës së shkrimtarit.  Rama në urimin e tij shkruante:

Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, disertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.”

Rama kryeministër që duket sikur më shumë e ha meraku të godasë me Ismailin kundërshtarët e tij përpara se të shkruante këtë urim, duhej të stepej një moment  e të mendonte se çfarë do të thoshin miqtë e tij më të afërm të një kohe si Kasem Trebeshina, Ardian Klosi  por edhe vetë Rama intelektual. Sepaku për një sinqeritet me veten duhet të bënte një sqarim pse atëherë ishte shkarrashkrues dhe sot thur ditirambe?! Kur na ka gënjyer kur ishte intelektual, apo pasi u bë kryetari Rama dhe tash kryeministri Rama?!

Por ai nuk është i vetëm në këtë ballo me maska. Të njëjtën gjë bën edhe idhtarja e Ismail Kadaresë këto vitet e fundit, Alda Bardhyli Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Leximit të Librit, që varet nga Ministria e Kulturës. Edhe ajo nuk ruan asnjë lloj raporti me Aldën gazetare dhe letrare të pavarur të viteve më parë. Ja çfarë thoshte Alda në një shkrim “(auto) censura Kadare” të botuar fillimisht në gazetën “Minevra” 11-17 gusht 2002 dhe më pas në “Revistën letrare ARS” ne 6 prill 2006:

“ Kadare jo vetëm nuk ka qenë i censuruar,  por ai ka qenë pjesë e një politike për censurën. Por ajo që do ti shkonte më për shtat shkrimtarit të njohur do të ishte përmendja e censurës së tij në shumë autorë të kohës, autorë që edhe pas kaq vitesh shihen si armiq të betuar të Kadaresë. I rritur në një politikë të tillë Kadare nuk mund të linte të lirë Kolevicën, për të shprehur mendimet e tij, të cilat Kadare i dinte shumë mire se çfarë do të thonin. Është pikërisht ky i fundit që fshihet pas heshtjes së thellë në ambientet letrare për librin e Kolevicës. Është pikërisht Kadare, ish-kandidati për Nobël, që përdor ende censurën për sukseset e tij në letërsi. Ky fenomen i cili çfaqet hapur në ambientet tona letrare, është aq i forte sa ata të cilët kanë marrë këtë goditje, në vend që të flasin, bëjnë auto-censurë. Në një kohë kur letërsia duhet të marrë format e saj të qarta, ush-përdhunuesit e saj vazhdojnë ende të përdhosin atë.”

Çfarë e bashkon Edin me Aldën? Ata i bashkon kalimi për shkak të dobësisë së karakterit në kampin e elitës ish-komuniste që më herët e kanë sulmuar si  vazhduese të pushtetit të vjetër që, për tu legjitimuarnë Perëndim filluan të qepin kostumin e disidentit.Si shumë të tjerë, në vend që të kontribuonin për dekomunistizimin ata iu bashkuan kësaj elite, me në krye Kadarenë dhe kështu, me metodat e që kanë denoncuar dje,  Edi sot e ngre nivelin e dobët intelektual të Kadaresë në gjenialitet kurse Alda nga ush-përdhunues të letërsisë, cenzurues të kundërshtarëve na e bën disident, të persekutuar.

Këtë kostum të ri, Fatos Lubonja në një shkrim me titull “Mbi telenovelën Hoxha-Kadare”, shkruar kur Kadare i kërkoi Nexhmijes t’i kthente dorëshkrimin e Dimrit të Madh pasi, sipas tij, ajo ia kishte marrë me dhunë, e ka përcaktuar saktë kur shkruan: Mirëpo përpjekja e tij për të na vërtetuar këtë, kur ndeshet me faktet (edhe si ato që nxori Nexhmije Hoxha për të së fundi) na ngjan si ajo e dikujt që kërkon të arnojë një xhaketë të kalbur keqas, së cilës sapo i vë dorën në një anë për ta qepur, shqepet në anën tjetër.” (Panorama19 tetor 2012)

Fakti se Kadare, prej vitit 1990 me largimin e tij nga Shqipëria pa pushim ka punuar për të krijuar një histori tjetër të jetës së tij nga ajo që është në realitet dhe si njeri publik veshi vetes kostumin e disidentit dhe njeriut që ka qenë ne rrezik për jetën nga regjimi tashmë është bërë proverbial. Janë bërë proverbialë edhe një numër jo i vogël rrobaqepësish të këtij kostumi, një armatë me shërbëtorë të djeshëm të pushtetit, nga ish kryetar të Hetuesisë së Republikës Socialiste, nga doktori personal i Enver Hoxhës, nga sigurimsa, nga ish fëmijë të bllokut, por të ndëshkuar më vonë nga regjimi, por me nostalgjinë si elite e “Bllokut”, nga bashkëpunëtorë sigurimi, nga shkrimtarë të zellshëm të realizmit – socialist, nga funksionare të regjimit dje e sot.

Ajo që jqam kurioz të di është se çfarë dialogu kanë me veten këta kur ndodhen përballë fakteve të pamohueshme të bashkëpunimit të Kadaresë me diktaturën. Në ditët e celebrimit të ditëlindjes titulli i Panoramës që më ka bërë më shumë përshtypje ishte një deklaratë e Kadaresë se Enver Hoxha është paraqitur në veprat e tij si një “personazh i mjerë”.  Këtë ua thoshte disa të rinjve në praninë e Aldës dhe të Helenës. Dhe ndaj kësaj nuk pati asnjë reagim megjithëse janë të gjallë ata që i kanë mësuar përmendësh poema si “Shqiponjat fluturojnë lart”, që kanë lexuar “Dimrin e madh”, kujtimet e Ismailit për Enverin apo letrën që i ka dërguar Lë Mondit me rastin e vdekjes së tij. Nuk dua këtu të sjell dokumente që i kam sjellë më parë sa më vjen neveri nga vetja t’i përsëris, por do të sjell dy dëshmi që besoj se janë të reja edhe për shumicën e publikut, që duhet të skuqin çdokënd që ka pak turp kur shkruan për disidencën e Kadaresë.

1. Në librin Turist në Utopi autori Rune Otteson ish marksist- leninist që ka vizituar Shqipërinë në vitet ’70, profesor për gazetari në Universitetin e Oslos në faqen 132 shkruan:

Kadare nuk është si gjithë të tjerët në marrëdhënien Norvegji- Shqipëri. Në stendat m-l-iste në Blindern kishte gjithnjë romane të Kadaresë në shitje. Ato gjendeshin gjithnjë përbri revistave për Shqipërinë dhe materialeve propagandistike të Partisë Komuniste Shqiptare. Ish-sekretari i marrëdhënieve ndërkombëtare në AKP, Eirik Rossen, e përshkruan kështu:

Stendat e SUF-it në Blindern në atë kohë ofronin shumë materiale mbi Shqipërinë. Më kujtohen sidomos tre romane të Ismail Kadaresë, të botuara nga shtëpi botuese shqiptare:

Gjenerali i ushtrisë së vdekur , mbi një gjeneral Italian që vjen në Shqipëri për të mbledhur eshtrat e ushtarëve Italian pas luftës.

Kështjella, një rrëfim alegorik për një rrethim turk të një kalaje shqiptare në vitin 1400

Dasma, një përshkrim i një dasme në kohën e socializmit, me shumë retrospektiva historike”

Kadare, sipasOtteson, “shihej si njeri i regjimit dhe ishte ndër intelektualët e pakët që kishte liri për të udhëtuar jashtë vendit. Edhe Simen Skjonberg (Gazetar shkrimat i majtë I. D.) i kushton Kadaresë një vemendje të veçantë në reportazhet e tij në Dagbladen verën e vitit 1973.[[...] pas leximit të Dasmës Skjonberg shkruan kështu:

Besojmë se Dasma tregon shumë për Shqipërinë, se si ka qenë ky vend, për objektivat që populli synon sot, për problemet që kanë njerëzit e zakonshëm. Pjesë të romanit ne na duken naive. Kjo vjen ngaqë libri duhet të jetë edukues. Një shkrimtar duhet të jetë edukatori i popullit. Por, në tërësinë e vet, libri është i mirë.”

2. Dokumenti tjetër është botuar më 13 shkurt 2020 në Iliriapress (http://illyriapress.com/vjeshte-1978-france-4000-kopje-nga-dimri-i-madh-u-shiten-po-shtypen-edhe-3000-te-tjera/) fragment nga libri i Ylli Polovina një letër që Kadare i dërgon nga Parisi ku është me shërbim Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Nesti Nase në vitin 1978, si dhe disa letra të Ambasadës sonë në Francë që tregojnë se sa i ngushtë ka qenë bashkëpunimi i “disidentit” Kadaresë me regjimin për promovimin në Perëndim të “personazhit të mjerë” Enver Hoxha. Bëhet fjalë  për botimin e librit “Dimri i Madh”.  Kadare ndërmjet të tjerave i shkruan për punën që ka bërë me francezët që teksti që teksti i prezantimit të librit të dalë sa më mirë:

“Gjysma e tekstit ishte e mirë dhe e prezantonte drejt romanin, por, ashtu siç parashikohej, gjysma tjetër nuk ishte e mirë. Ajo kishte fraza sensacionale, sipas stilit komercial dhe ndonjëherë jepte gjëra pa asnjë bazë për realitetin tonë. Në takime të shumta e të njëpasnjëshme në Shtëpinë Botuese, në mënyrë graduale unë arrita që, në fillim ata të hiqnin nga teksti pjesën jo të mirë dhe ta zëvendësonin atë me tekst tjetër. Pastaj, duke e parë se kjo punë doli me sukses shkova më tej, duke influencuar që të rishikohej krejt teksti. Kështu që, si përfundim, teksti u bë krejt i ri (gjithmonë nga ata vetë). Ky tekst i ri përfundimtar, është nga çdo pikëpamje, shumë më i mirë se teksti i mëparshëm. Atje inkuadrohet shumë mirë historikisht vepra, duke u përmendur tre shtetet e mëdhenj, me të cilët vendi ynë është ndeshur gjatë historisë së tij; Perandoria Otomane, BRSS dhe së fundi Kina; evidentohet personazhi i shokut Enver, (gjë që është bërë edhe në tekstin e parë prej vetë atyre), jepen vlerësime të drejta për ngjarjen për romanin”.

Nga këta dokumente del aktiviteti i ethshëm që ka bërë shteti ynë, ambasada dhe shtëpia botuese Fayard për të tërhequr gazetarë dhe figura që do të promovojnë librin që glorifikon diktatorin Enver Hoxha. Ajo që më revolton është kur shoh se po kështu përdorin sot njëri tjetrin Ismaili shteti ambasadat tona dhe Fayard dhe për të promovuar Kadarenë disident dhe kampion të demokracisë që na e paska paraqitur Enverin si “personazh të mjerë”. Ballo me maska e shqiptarëve me kulturë falsifikim-fabrikimi vazhdon.

Le ti kthehemi asaj pjese të tretë botuar në gazetën Panorama me dt. 1 mars 2021 “Kohës për rrëfim” për të parë insistimin e maskave për përndjekjen e Kadaresë nga regjimi dhe persekutimin e tij.

Ismail Kadare në rrëfimin e tij tek Alba Bardhyli, shkruan: “Po, në fillim emri im filloi të lakohej te grupi i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, por, siç duket, Enver Hoxha reagoi duke menduar impaktin që vepra dhe emri im kishte në Perëndim. Atëherë, qarkulloi një shprehje e thënë prej tij: “Nuk dua t’i jap një disident Perëndimit”. Ishte ai që e ndaloi, pasi ndaj meje do të kishte reaksion në Perëndim. Njerëz që përballë ambasadës sonë në Paris kishin bërë provokime, i kishin dhënë disa paralajmërime. Në një librari atje u hap një vitrinë e madhe me librat e mi. Dhe fakti ishte se kishte interes të madh nga gazetarë, nga studiues të huaj, të cilët po prisnin zhvillimet në Shqipëri. Me gjakftohtësi mendova se kjo më ka mbrojtur. Librat e mi ishin futur me dhjetëra e mijëra në shtëpitë e njerëzve, nëpër biblioteka, kishin zënë vend kudo. Isha i ndërgjegjshëm për këtë, prandaj nuk kisha frikë..”

E pyes Aldën:Si mund të qëndrojnë bashkë edhe Kadareja në stendat e shoqatës marksist – leniniste suedeze përbri materialeve propagandistike të regjimit, Kadareja “edukator i popullit” që shkruan për tre perandoritë me të cilat është ndeshur Shqipëria, dy në kohën e lavdishme të Enver Hoxhës, Kadareja për të cilin ambasada në Francë shtron darka për gazetarët që do të shkruajnë për këto ndeshje historike dhe Kadareja për të cilin, po në të njëjtën kohë që haej darka, lexuesit perëndimorë paskan bërë provokime jashtë ambasadës duke i dhënë paralajmërime shtetit shqiptar se në qoftë se preket Kadare, shteti shqiptar do të ketë pasoja?

“Nuk dua t’i jap një disident Perëndimit”. Kjo thënia që sipas Kadare qarkullonte është një trillim në stilin e tij e bërë për t’u shitur në Perëndimin që nuk e njeh siç e njohim ne regjimin, Enverin dhe Kadarenë. Duke njohur Enverin si diktator i pamëshirshëm dhe një njeri që jetonte në paranojë duke eliminuar anëtare te byrosë deri kryeministrin e Shqipërisë për 35 vjet, atij boll t’i shkonte ndërmend që Kadare ishte kundër vijës së Partisë dhe shoku e kishte zhdukur.

“Isha i ndërgjegjshëm për këtë, prandaj nuk kisha frikë..” i rrëfen Ismail Kadare, Albës.

Në qoftë se Kadare kishte kuptuar që nuk kishte se çfarë t’i bënte Enver Hoxha nuk kishte frikë, përse duhet të shkruante shkrimin pretencë për Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin në gazetën  Zëri i Popullit më 13 janar 1974, kur Todi dhe Fadili akoma nuk ishin arrestuar. Ja çfarë shkruan Kadare ndërmjet te tjerave. “. Nuk është e rastit që ai bashkë me Todi Lubonjën ishin kundërshtar të tërbuar të karakterit kombëtar në artet tona. […] Djathtizmi i T.Lubonjës e F.Paçramit, kozmopolitizmi tyre treguan dhe njëherë se lufta e klasave në terrenin e letërsisë dhe arteve është e gjallë dhe do të jetë e tillë për një kohë shumë të gjatë”

Sipas dokumenteve të nxjerra nga Fatos Lubonja, pikërisht në këtë kohë ai kalon nga PP (Përpunim Paraprak) ne 2A për arrestim. Mund të jetë koincidencë por kjo tregon se cili ka qenë në atë kohë raporti i Kadaresë me Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin dhe ata që u dënuan për liberalizëm. Ai ka qenë në anën e akuzuesve dhe jo të të akuzuarve siç paraqitet në librin e Aldës. Por Kadare, që tani ka futur edhe Aldën në “ush-përndjekësit”, në vend se të kërkojë ndjesë vazhdon për të disatën here në mënyrë malinje të trillojë kundër Fatos Lubonjës sikur ky ka denoncuar t[ atij pasi e urrente dhe ka vënë në rrezik edhe jetën e shkrimtarit Ismail Kadare. Megjithëse Fatosi e ka nxjerrë dokumente dhe ka folur gjate në emisionin e Ylli Rakipit “Lubonja kundër Kadaresë” ku shikohen qarte edhe marrëdhëniet familjare edhe se nuk ka as denoncim për Todin dhe aq më pak për shkrimtarin Ismail Kadare ai këmbëngul në një mënyrë tepër diabolike duke lënë të kuptojë sikur Todi vetë i paska folur atij për këtë.

           “A.B A keni biseduar me të lidhur me të birin, Fatosin, i cili prej vitesh   ka një qëndrim kritik ndaj veprës suaj?

          I.K Po, kemi biseduar gjatë. Nuk do të doja të flisja për një raport kaq hyjnor si ai prind-fëmijë, duke dashur ta mbaj në kujtesë lëndimin e tij për këtë.

          Kjo tregon një gjendje te rënduar psiqike të shkrimtarit në luftën e tij si cezurues dhe ush-përndjekës i kundërshtarëve (siç e quante Alda dikur) dhe për të paraqitur një te kaluar të tjetërsuar nga ajo çka ka qenë në realitet shkrimtari dhe një mjerim për shpurën e industrisë në shërbim të lëkurës së rrudhur më shumë nga të pavërtetat se nga mosha. Edhe sikur ky fakt të ekzistonte një shkrimtar kurrsesi nuk mund të rëndojë në hapjen e plagëve nën dhunën psikologjike dhe fizike aq më tepër në marrëdhënie at dhe bir. Aq më tepër kur Fatosi tashmë e ka treguar veten me ridënimin e tij, me qëndrimin e tij në burg, në luftën e tij pas burgut për shëmtimet politike, kulturore duke mos heshtur në luftë me të keqen dhe duke mos u kompromentuar për përfitime dhe mbështetje nga pushteti. Kadare në të kundërt ka heshtur dhe bashkëpunuar me të keqen edhe pse sot kur nuk të burgos njeri dhe nuk ke pasoja, aq më tepër kur je Ismail Kadare. E tregoi edhe qëndrimi i tij i fundit ndaj prishjes së Teatrit.

Kjo përpjekje groteske e Ismail Kadaresë për të falsifikuar të shkuarën e tij duke u paraqitur si kundërshtar i regjimit komunist dhe i persekutuar deri dhe i internuar, nuk do të ishte problem, sikur të ishte vetëm Kadare në këtë lojë. Çdokush ka të drejtën të masturbohet në fantazitë e veta. Por kur kjo bëhet një model, përqafohet dhe përkrahet nga elitat kulturore, politike, artistike dhe jo vetëm por aplikohet dhe si model suksesi, tregon gjendjen e rëndë të një shoqërie. Asnjë shoqëri moderne nuk ka mundur të ngrejë shtet demokratik, shtet të së drejtës dhe vlera kulturore mbi piramida të pavërtetash. Shoqëritë janë ngritur lart kur janë ballafaquar me kurojo me të kaluarën e tyre të errët, si gjermanët psh.. Gjendja e mjerë në të cilën ndodhet shoqëria sot, ku njerëzit duan vetëm të ikin nga vendi, është vepër e kësaj elite që në vend të kësa kuraje ka zgjedhur gënjeshtrën dhe manipulimin.

EMISIONET