Gjykata e Posaçme ka pushuar çështjen e hetimit të tre gjyqtarëve që rrëzuan dënimin me burgim të perjetshëm për Dritan Dajtin.

Petrit Alija, Skënder Damini dhe Aleks Nikolli nuk do të hetohen më me argumentin se nuk është gjendur element i veprës penale. Për të tre u ngritën dyshime nga Prokuroria për korrupsion.

Për çështjen e tre gjyqtarëve ishte kërkuar edhe më herë pushimi nga SPAK, por gjykata nuk kishte pranuar.

Gjyqtarët u vendosën nën hetim për korrupsion nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, për zbutjen e dënimit të Dritan Dajtit, i dënuar për vrasjen e 4 policëve në Golem.

Në atë ngjarje mbetën të vrarë policët Altin Dizdari, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska. Ai ishte në kërkim pasi ishte dënuar për një tjetër vrasje të kryer në vitin 1999 në Tiranë, por në verë të vitit 2004 arriti të arratisej nga Gjykata e Tiranës.