Media kosovare denoncoi se i arrestuari nën dyshimin se është kapur me 113 kilogramë drogë, Enis Qerka, ishte emëruar këshilltar i jashtëm politik i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi.

Menjëherë pas publikimit të lajmit në media ministri i Drejtësisë,Selim Selimi firmosi shkarkimin e tij.

Sot në mëngjes pas raportimit të mediave, kam liruar nga detyra Enis Qerkën”, ka shkruar Selimi.

I dyshuar për trafikim lëndësh narkotike ishte emëruar këshilltar politik i Ministrisë së Drejtësisë

Kabineti i ministrit Selimi kishte pranuar se “Enis Qerka është emëruar si këshilltar i jashtëm në Ministri të Drejtësisë” dhe se “vendimi ishte nënshkruar dhe kishte shkuar në administratë si çdo vendim tjetër”.

Enis Qerka u bë i njohur në opinion kur u arrestua në kufirin Kosovë-Maqedoni me dyshimin se ishte i përfshirë në kontrabandimin e 113 kilogramëve narkotikë të llojit heroinë, në dhjetor 2018.

Gjykata ia pati caktuar Qerkës një muaj ditë paraburgim, por ai dhe dy të dyshuar të tjerë, vëllai i tij, Selim Qerka, dhe Gent Selaci, qenë liruar nga paraburgimi pas një jave, me urdhrin për t’u paraqitur në stacion të policisë.

Gazeta “koha” ne Kosove e pyeti ministrin e Drejtësisë, Selimi, se si e ka angazhuar për këshilltar një person të arrestuar me dyshimin për kontrabandim të 113 kilogramëve drogë, dhe në përgjigjet e dërguara nga kabineti i tij është thënë se “vendimi për z. Qerka si këshilltar i jashtëm është marrë pasi që ndaj tij kanë pushuar hetimet”.

Enis e Selim Qerka dhe Gent Selaci janë të vetmit që nuk janë përfshirë në aktakuzën kundër grupit të personave të arrestuar, që u zunë me 113 kilogramë drogë. Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte caktuar të mbahej seanca gjyqësore kundër Xhemail Shalës, Sadik Shalës, Iskender Sale, Alban Gashit dhe Labinot Zenelajt.