“Abdullah, Hamza, Omar, Muhamed.”

Këto janë pak a shumë emrat që kanë disa djem të rinj sirian, palestinez apo libian që kam marrë në makinë kur i kam gjetur në rrugë duke ecur në këmbë, apo kur jam ndalur t’u blej ndopak ushqim.

Të fundit ishin sot. Nga dalja e Rrëshenit i çova deri në Reps. Ata do të vazhdonin për Kukës e unë kisha punë të tjera. Disa flasin anglisht, ndonjë tjetër italisht e të gjithë, kur i pyet se ku po shkojnë, thonë të njëjtën gjë: “Shqipëri, Kosova, Serbia, Hungaria, Austria e Italia. Mali Zi, Bosnja e Kroacia më vështirë”.

Kur i sheh ashtu duke ecur në këmbë në vapë apo në shi kujton historitë e Agronit, Agimit, Benit, Fredit, Tanit nga Shqipëria rrugëve të Greqisë apo brigjeve të Italisë në vitet ’90.

Ata ecin në këmbë, grupe-grupe, të gjithë të rinj. Sigurisht dikush është në ankth për ta në familjet e tyre, por edhe ata për veten e tyre duke shkelur toka e popuj të panjohur më parë.

Të gjithë ata që kam takuar më thonë se në Shqipëri kanë gjetur bujari e dashamirësi. Pak para se ti merrja unë në makinë më treguan se një grua mirditore u kishte dhënë diçka për të pirë dhe pak bukë. Ndjehem mirë për këtë gjë.

Doda, që është me mua në makinë, më thotë: “pyeti dom Gjergj a kanë hangër?”

I pyes e më thonë: “jo”. Sapo ndalemi në Reps, Doda nxjerr portofolin dhe u jep para që të hanë diçka te restoranti aty. Buzëqeshin, falenderojnë me përzemërsi e zbresin.

Të gjithë jemi shtegtar e imigrantë në këtë botë e nuk mund të jemi indiferentë ndaj atyre që prej luftës e varfërisë janë të detyruar të lënë familjet e tyre për një jetë më të mirë. Gjestet e shqiptarëve me këta të huaj të ngrohin zemrën, por kjo është e pamjaftueshme…