Shtetarët më të lartë të Kosovës dhe Serbisë do dialogojnë sot në Shtëpinë e Bardhë për kompromise të natyrës ekonomike dhe për normalizimin e marrëdhënieve të përgjithshme. Një tjetër takim të premten do të varet nga gatishmëria e palëve për pajtim të mëjteshëm.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen sot në Shtëpinë e Bardhë në vazhdën e dialogut dypalësh për normalizim të raporteve.

Takimi i ndërmjetësuar nga këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brajan, dhe nga emisari i posaçëm, Riçard Grenell, synon paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.

Pala amerikane ka informuar se mbledhja paraprake do të ketë si temë projektet e përbashkëta infrastrukturore për linjat rrugore, hekurudhore dhe ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në varësi të rezultatit të këtyre diskutimeve, palët të premten mund ta zgjerojnë tryezën me tema më gjithëpërfshirëse ku nuk përjashtohet edhe pjesëmarrja e presidentit Donald Trump.

Në thelb të mosmarrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë pas luftës së dy dekadave më parë qëndron pavarësia e shtetit kosovar, që pala serbe refuzon ta pranojë.

Presidenti Vuçiç e ka bërë të qartë qëndrimin kundër sovranitetit të Kosovës nëse vendi i tij nuk merr diçka në këmbim, përkatësisht rajonet etnike serbe në veri të territorit shqiptar.

Ndërkohë, qeveria në Prishtinë është shprehur kundër idesë së shkëmbimeve territoriale.

Gjatë ditës, kryediplomati Ivica Daçiç tha se në Shtëpinë e Bardhë delegacioni serb pret presion të madh për sa i përket statusit të Kosovës.

“Presioni do të jetë i madh mbi shtetin dhe mbi Vuçiçin, me shantazhe, kërcënime për të ardhmen e tij, por unë e di se si reagon Vuçiçi ndaj kësaj, kështu që unë nuk këshilloj askënd t’i bëjë ultimatumin Serbisë apo Vuçiqit. Kjo nuk është mënyra për ta zgjidhur problemin.”

Serbia synon ta zgjidhë çështjen e Kosovës sa kohë presidenti Trump është ende në detyrë, pasi nëse ai humbet zgjedhjet presidenciale në nëntor, zyrtarët amerikanë thonë se shanset për një marrëveshje tjetër në favor të Beogradit do të ishin të ulëta.