Pak ditë pas takimit në Uashington, kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Aleksandër Vuçiç, konfirmojnë se Kosova dhe Serbia do vijojnë të ndjekin axhendën për normalizim të raporteve fqinjësore. Takimi u mbajt në zyrat e Brukselit që prej gati një dekade ndërmjetëson dialogun.

Kosova dhe Serbia janë zotuar t’i japin prioritetin më të lartë integrimit në Bashkimin Europian dhe vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Qëndrimin e bënë të ditur të hënën kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, para takimit tripalësh në zyrat e Brukselit.

Me një deklaratë të përbashkët, kryediplomati i BE-së, Josep Borell, tha se secila palë do përmbushë detyrimet e marra në zyrat e Brukselit që nga viti 2011, pa përjashtuar ato më të fundit që rrjedhin nga marrëveshja e dakordësuar javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë.

“Dokumentet e firmosura në Uashington, dhe angazhimet e mëparshme të palëve lidhur me dialogun, do të kontribuojnë dobishëm drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.”

Borell tha se qëndrimet mes palëve mund të jenë të ndryshme, porse shtetarët e Kosovës dhe Serbisë po punojnë për të gjetur pika të përbashkëta për adresuar çështjet e hapura mes tyre.

Në Bruksel u mbajtën gjatë ditës takimi i ri i nivelit të lartë në kuadër të bisedimeve dypalëshe, me tjetrin e radhës të parashikuar për 28 shtator.

Kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiç u pritën fillimisht në tryeza të ndara nga diplomati europian, Borel dhe nga i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.

Palët shprehën qëllimin për pajtim për tri temat të cilat janë biseduar prej javësh në nivel teknik, si çështja e të pagjeturve dhe të shpërngulurve të luftës, si edhe bashkëpunimi ekonomik.

Në kuadër të dialogut u trajtuan edhe dy çështje të reja si asociacioni i komunave serbe dhe kërkesat e ndërsjella financiare dhe pronësore.

“Sidoqoftë, nuk jam i pakënaqur me takimin e sotëm. Sapo të formohet qeveria e re dhe Kuvendi të nisë punën me kapacitet të plotë, do i parashtrojmë temën e Kosovës dhe secila palë në bisedime do prezantojë çfarë po diskutojmë, çfarë po shkon mirë dhe çfarë nuk pritet të ndodhë.”

Kryeministri Hoti para takimeve në Bruksel tha se një marrëveshje e suksesshme do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përpjekjet në këtë drejtim u hodhën më 4 shtator me paktin për normalizim ekonomik të nënshkruar në zyrën ovale në prani të presidentit amerikan Donald Trump.