Kyeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se pavarësisht dakordimit që Kosova ta pezullojë për një periudhë njëvjeçare aplikimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ajo nuk i ka pauzuar përgatitjet për këtë çështje.

“Ne po vazhdojmë koordinimin e plotë me të gjithë partnerët dhe partnerin tonë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të sigurohemi se aplikimet tona në organizata ndërkombëtare nuk dështojnë, siç ka ndodhur në të kaluarën, por rezultojnë me pranim dhe fuqizim të subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, tha Hoti.

Ai i bëri komentet në seancën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në një interpelancë të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, lidhur me pezullimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Një vendim i tillë ka rezultuar nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, që është nënshkruar më 4 shtator në Uashington.

Një ndër pikat e kësaj marrëveshjeje është që Kosova të mos kërkojë anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare për një vit, ndërsa Serbia, për të njëjtën periudhë kohore, të ndalojë fushatën për çnjohje të Kosovës.

Me këtë marrëveshje, Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kryeministri Hoti, “me vullnetin e tij të lirë dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës se Kosovës”, u zotua se do ta pezullojë të drejtën legjitime të shtetit të Kosovës.

Shteti i Serbisë, tha Pacolli, ka kërkuar që Kosova të heqë dorë nga aplikimi për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Pse të shpenzojë para dhe energji Serbia për ta bllokuar Kosovën përmes lobimit dhe angazhimit të saj diplomatik, kur Kosova e bllokon veten me dëshirën e saj? Serbia e kupton shumë mirë rëndësinë e angazhimit të shteteve në institucione multilaterale dhe prandaj del me një kërkesë të tillë”, tha Pacolli.

Organizatat ndërkombëtare ku nuk është anëtarësuar Kosova

Serbia, që nga viti 2017, ka bërë fushatë agresive diplomatike për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës.

Për shkak të lobimit të saj, disa shtete thuhet se i kanë ngrirë raportet e bashkëpunimit me Kosovën.

Fushata e Serbisë ka penguar që Kosova të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Përveç INTERPOL-it dhe UNESCO-s, Kosova nuk është anëtare as e Organizatës së Kombeve te Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Organizatat ndërkombëtare ku është anëtarësuar Kosova

Organizatat, në të cilat është anëtarësuar Kosova, janë: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Federata Botërore e Futbollit, Federata Evropiane e Futbollit, Komiteti Olimpik, Organizata Botërore e Doganave, Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA).

Po ashtu, Kosova dhe Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EUROPOL, kanë nënshkruar më 27 korrik një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim që të luftohen krimet e rënda. Kosova, në bazë të kësaj marrëveshjeje, do të ketë oficerë ndërlidhës në EUROPOL./REL