Godina e ish-hotelit në kohën e komunizmit në Delvinë është kthyer në strehe e njerëzve në nevojë. Banorët aty thonë ushqehen me lista dhe rrinë me frikën se një ditë mund ti nxjerrin dhe ti lënë pa çati mbi kokë.
Ish-godina e hotelit në Delvinë është kthyer në strehë, për familjet që jetojnë në varfëri.
Musa dhe Mimoza Kola, burrë e grua 60 vjeç, thonë se jetojnë me vetëm 3 mijë lek ndihmë ekonomike në muaj.
“30 mijë lekë të vjetra në muaj paguaj energjinë, ujin nuk më del të paguaj, bukën dhe ushqimet i marr me listë.”
Herë pas herë Mimoza mbetet edhe pa ilaçe, ndërsa çifti Kola i kalojnë ditët mes përpjekjes për të siguruar ushqim dhe frikës se mos një ditë Bashkia i nxjerr nga godina.
Hatixhe Luka, njëra nga banoret e tjera të ish-hotelit, tregon se në këtë dhomë të vogël jeton së bashku me djalin dhe nusen.
“Kam frikë se mund të më nxjerrin, kam bërë një vërtetim si e pastrehë, të shohim.”
Papunësia në Delvinë ka zhytur në varfëri ekstreme qindra familje.
Banorët mbi 50 vjeç e kanë thuajse të pamundur punësimin dhe jetojnë me ndihme ekonomike.

