Presidenti i Republikës ka hedhur shortin për anëtarët  rinj të KED.

Në short ishin kandidatë të sjellë nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Në listën e ish-kandidatëve mungonte emri i kryetarit të mëparshëm Ardian Dvorani, emri i të cilin nuk ishte dërguar nga KLGJ.

Shorti ka përcaktuar që anëtarë të ketë nga Gjykata e Lartë gjyqtarin Ervin Pupe, ndërsa si anëtar zëvendësues gjyqtarin Ilir Panda.

Në ligjin për KED është përcaktuar që anëtari i Gjykatës së Lartë duhet të jetë njëkohësisht edhe kryetari i KED.

Nga Gjykata Kushtetuese, shorti përcaktoi si anëtarë të KED gjyqtarët Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska. Ndërsa anëtar zëvendësues në KED do të jetë përfaqësuesja e Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji.

Adnan Xholi zgjidhet si anëtar i KED si përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa anëtar zëvendësues është zgjedhur Kujtim Luli.

Anëtarët përfaqësues nga Gjykata e Apelit në KED janë zgjedhur Astrit Kalaja dhe Elona Toro, ndërsa anëtare zëvendësuese Zegjine Sollaku. Gjon Fusha dhe Genti Xholi do të jenë anëtarë për vitin 2021 në KED si përfaqësues të Prokurorive të Apelit, ndërsa Kleanst Zeka përfaqësues zëvendësues. Anëtari i fundit përfaqësues nga Gjykata Administrative është zgjedhur Rilinda Selimi, ndërsa zëvendësuese është zgjedhur Gentiana Xhelili.

Reformatimi i KED bëhet shumë i rëndësishëm në këtë moment, pasi pritet që të ecet përpara me Gjykatën Kushtetuese.

Nga procedura e tre vendeve vakante të hapura nga Presidenca dhe nga Kuvendi, KED ka përzgjedhur tre kandidatë që plotësojnë kriteret Sonila Bejtja, Altin Binaj dhe Aleksandër Toma.

Presidenti dhe Parlamenti tashmë duhet të përzgjedhin nga një emër në lista me tre kandidatë të propozuar nga KED për të plotësuar vakancën në Gjykatën Kushtetuese. Por procesi po mbahet peng nga ankimimet që janë bërë në Gjykatën e Apelit Administrativ nga kandidatët e skualifikuar.