Hetimet e SPAK për përgjimet e "Ndrangheta"-s, Hazizaj: Vepra penale në Itali, duhen identifikuar pasojat në Shqipëri

Hetimet e SPAK për përgjimet e "Ndrangheta"-s, Hazizaj:

Prokuroria e Posaçme SPAK i është drejtuar me një kërkesë Agjencisë së Prokurimeve Publike, duke kërkuar të gjithë dokumentacionin për procedurat tenderuese, që kanë përfituar personat e përmendura në përgjimet e dosjes italiane, “Ndragheta”.

Kërkesa është përpiluar nga prokurori i posaçëm, Sotir Kllapi, i cili synon të gjejë prova shkresore pranë agjensisë së tenderave.

Lidhur me këtë temë, i ftuari i gazetares Matilda Mcini në Ora News ishte eksperti i çështjeve ligjore Sokol Hazizaj.

Sipas tij, çështja kryesore është identifikimi i pasojave të veprës penale në Shqipëri. Pasi sipas juristit, vepra penale është kryer në Itali.

Sokol Hazizaj: Konstatoj që, procedimi penal, me çfarë lexova në faqen zyrtare të strukturës së posaçme, ka filluar nëpërmjet medias. Ky fakt tregon që Prokuroria e Posaçme ende nuk ka, ose kur ka filluar procedimin nuk ka patur asnjë material në dorë përveç njoftimit mediatik që i është bërë përgjimeve të transkriptuara nga autoritetet italiane. Mund të kishte filluar procedimin, por realisht, duke iu referuar Procedurës së Kodit Penal, ky është njoftim që merret mbi dyshimin e kryerjes së veprës penale në Itali.

Nxitimi i strukurës së posaçme anti-korrupsion për të regjistruar procedimin përmban brenda vetes disa risqe. Sot ne kemi vetëm që kreu i SPAK shkoi atje, piu kafe, i thanë shiko se atje disa autorë apo subjekte shqiptare që janë përzierë. Çështja është që duhen identifikuar pasojat e veprës penale. Domethënë ne nuk jemi vendi i origjinës së veprës penale. Është Italia ku është kryer vepra penale dhe pasoja është Shqipëria. Nëse e ndërtojmë fabulën mbi atë që kemi lexuar. Duhen identifikuar pasojat. Si kanë ardhur pasojat në Shqipëri. Ju në rrugë mediatike mendoni se ka ardhur përmes ndërtimeve, përmes pastrimit të parave. Ky nuk është një informacion kaq i thjeshtë për ta identifikuar, si në kohë dhe në hapësirë. Duhet marrë pak më seriozisht problemi. Shpeshherë për shkak të nxitimit, presionit që ushtron media dhe pushtete të tjera, pse jo edhe koha që jetojmë, kohë elektorale, organi i hetimit bëhet vetiu pjesë e fushatës elektorale.

Sipas Hazizajt ky është një hetim i gjatë dhe standarti që ka krijuar Prokuroria në Shqipëri ka bërë që shpeshherë hetimet të dështojnë.

“Ky është një hetim i gjatë. Çështja është, standarti i krijuar nga organi i hetimit në Shqipëri, duke filluar hetimin vetëm mbi bazën e përgjimeve, të cilat në Procedurën Penale janë indicie, pa identifikuar prova të tjera materiale, ka bërë që pjesa më e madhe e hetimeve dhe procedimeve të dështojnë", tha Hazizaj.

Ora News mëson se, një kërkesë e ngjashme me atë të Agjensisë së Prokurimeve Publike do ti dërgohet dhe Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera që përmenden në përgjime, për të mësuar nëse individët si Antonio Gallo, Saverio Brutto, Tommaso Brutto, Ercole D’Alessandro apo Besnik Halili kanë përfituar tendera në periudhën kur janë kryer këto bisedime apo jo.

Hetimet nisën në 25 janar 2021, pas publikimit të përgjimeve në Ora News. Ndërkohë në lidhje me këtë çështje drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, në 4 shkurt 2021 udhëtoi në Romë ku zhvilloi një takim pune me kryeprokurorin e Antimafias dhe ku palët ranë dakord të bashkëpunonin për ngritjen e një hetimi paralel në të dyja vendet.

Lexo edhe:

Përgjimet e antimafias: SPAK do i kërkojë lejet e ndërtimit bashkisë së Tiranës

Vendi Lajme Ora News intervista SPAK Kronike Aktualitet hetimet sokol hazizaj lejet e ndertimit Intervista në Ora News pergjimet e antimafias

EMISIONET