Një i ri ka rënë në prangat e policisë së Tiranës për armëmbajtje pa leje. Policia e ka konstatuar në zonën e “Ali Demit” të arrestuarin ndërsa qarkullonte me armë zjarri.

Në momentin që ka parë policinë, 30-vjeçari e ka hedhur armën në tokë dhe ka tentuar të largohet më vrap.

Por është kapur gjatë ndjekjes nga ana e efektivëve të policisë, dhe arma që posedonte është sekuestruar.

“Si rezultat i rritjes së besimit të qytetarëve tek Policia, është marrë informacion se një i ri po qarkullonte me armë zjarri në zonën e Ali Demit.Menjeherë u organizuan shërbimet e Policisë për lokalizimin dhe kapjen e personit. Si rezultat i reagimit të menjëhershëm, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shigjetat”, bënë të mundur që në lagjen “Ali Demi” të lokalizonin personin e dyshuar, i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe ka tentuar të largohet me vrap, por gjatë ndjekjes është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë” njoftoi policia.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore policia ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit R.L., 30 vjeç, dhe materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.