Qeveria shqiptare hapi garën ndërkombëtare për parkun e dytë energjitik në Shqipëri.

Është zgjedhur Spitalla në Durrës, si një zonë me rrezatim të lartë dhe industrial, park i cili do të shtrihet në 120 hektarë.

Qeveria bëri me dije se nuk do të pranohet asnjë ofertë mbi çmimin 55 euro për megavat.

Rama: Ky Park Fotovoltaik në zonën e Spitallës është pjesë e një mozaiku që jetëson vizionin tonë për Durrësin 2030 dhe edhe vizionin tonë për Shqipërinë 2030. Në këtë zonë, e cila prej shumë e shumë vitesh ka qenë një zonë e parë si një periferi, ku ka pasur hapësirë vetëm për ndërtime kaotike të atyre që gjatë gjithë këtyre dekadave kanë lëvizur nga zonat më të thella drejt qendrave të mëdha urbane, ndërkohë që me këtë park, ne bëjmë vetëm hapin e parë që do të shoqërohet me një sërë hapash të tjerë.

Duke filluar nga lagja e re e rindërtimit, që do të jetë një lagje po aq mbresëlënëse, sa janë faktikisht shkollat e reja që po ndërtohen, po kuptohet në proporcione shumë më të mëdha për nga pikëpamja e volumit dhe për nga pikëpamja e sfidës së rindërtimit, në funksion të krijimit të një hapësire komunitare me të gjitha standardet për të gjithë ata që humbën shtëpitë në 26 nëntorin e shkuar. 

Kryeministri paralajmëroi hapjen e një tjetër garë ndërkombëtare për portin e mallrave në Durrës.

Rama: Ndërkohë, porti i ri i mallrave për të cilin së shpejti do të hapet gara ndërkombëtare, do të mundësojë transferimin e të gjithë aktivitetit kaq shumë vjeçar të transportit detar të mallrave në zemër të qytetit, për t’i hapur rrugë transformimit të portit të vjetër, portit aktual, në një port të madh turistik që do t’i japë Durrësit pikërisht magnetin e fuqishëm për jo vetëm të tërhequr më shumë turistë e për të krijuar një kategori të munguar të turizmit në pikëpamje të volumit, që është turizmi elitar, por edhe do të mundësojë një fuqi të shtuar tërheqëse të Durrësit si një pikë e rëndësishme referimi në Mesdheun turistik. 

Po ashtu po këtu, në anë të këtyre zhvillimeve ose bashkë me këto zhvillime, pjesë e këtij mozaiku është zona e re e lirë ekonomike për të cilën është folur shumë e shumë vite, është synuar herë pas here të shkohet përpara. Edhe ne vetë kemi bërë në të shkuarën 2-3 hapa për të shkuar përpara, por nuk kemi pasur sukses në to për shkak të mungesës së interesit që lidhet me shumë aspekte, që nuk është vendi këtu për t’i shtjelluar. Tani shohim që interesi është i lartë, edhe pse, me thënë të drejtën, kjo periudhë e pandemisë ka frenuar shumë procese, ka ndërlikuar shumë procese, ka bllokuar shumë procese në gjithë botën, – jo vetëm këtu, – por ka bllokuar edhe procese të rëndësishme për ne. 

Fituesi i këtij tenderi do të shpallet me 2 mars të vitit 2021, ndërsa parashikohet që në verën e vitit të ardhshëm të nis edhe ndërtimi i këtij parku fotovoltaik.

Rama u shpreh besimplotë se me ndihmën e Zotit, javën e ardhshme do të zhbllokohet edhe procesi për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës.

Rama: Kemi bërë përpjekje e përpjekje dhe të cilën e konsideroj një tjetër gur shumë të rëndësishëm në mozaikun e përgjithshëm të Shqipërisë që ne parafytyrojmë e për të cilën ne luftojmë dita-ditës që ta kemi si një realitet të plotësuar në këtë dhjetëvjeçar ku kemi hyrë.