Ish-drejtuesi i lartë i policisë së shtetit, Arben Hajdarmataj, shpreh keqardhjen për mënyrën sesi u keqpërdorën politikisht ditën e djeshme punonjësit e policisë së shtetit dhe posaçërisht reparti i forcave speciale RENEA.

I ftuar në Ora News, Hajdarmataj thotë se policia ka rënë në nivelin e militantëve dhe mercenarëve që zbret në terren sipas urdhrit politik të radhës.

Ai sjell në vëmendjen se Forcat RENEA përfshihen në operacione kur kanë përballë njerëz të armatosur.

Dhe natyrshëm lind pyetja: Kush ishte i armatosur në RTV Ora dhe Ora News, gazetarët?!

Hajdarmataj: Ndihem shumë keq që policia e shtetit shqiptar ka rënë në këto nivele, nivele militanteske dhe mercenarësh që merr urdhra partiakë që nuk kanë asnjë bazë ligjore. Nëse flasim për RENEA-n si repart, është repart për neutralizimin e personave të armatosur.

Çka do të thotë që ky repart del në aktivitet kur ka të bëjë me një përballje me persona të armatosur, del me urdhrin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit që për mua si drejtues policie ka rënë dje në nivelin e një polici të sapombaruar arsimin, që jep urdhër të nxjerrë RENEA-n për tu paraqitur në oborrin e një institucioni.

Tjetër gjë është zoti Ndroqi dhe tjetër është televizioni. Veprimet ndaj një institucioni të tillë duhet të jenë shumë të matura.Nuk arrij ta kuptoj dhe as ta besoj që Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë marrin guximin dhe kurajon dhe nxjerrin një repart special për të zbarkuar në oborrin e një televizioni që nuk ka të bëjë fare me pronarin e tij.

Nëse ka një akt sekuestroje, tjetër është procedura dhe tjetër veprimi. Gjykata apo prokuroria autorizon oficerin e policisë gjyqësore për të ekzekutuar aktin e sekuestros.Nëse politika do të përdorë policinë kaq keq atëherë kalojmë në mercenarë. Nuk pyesin për rregulla dhe ligje.