Ligjet në Shqipëri vazhdojnë të ashpërsohen,por dhuna në familje mbetet një problem shqetësues. Gratë e dhunuara në shumicën e rasteve tërhiqen nga denoncimet për të mos shkatërruar familjen për shkak se janë të papuna dhe burimi i vetëm i jetesës është puna e bashkëshortit. Gjendja ekonomike e rëndë, por edhe frika, duket se i detyrojnë gratë që pas denoncimit të parë në polici ta shikojnë më pas situatën me gjakftohtësi dhe të tërheqin padinë.

Një numër i konsiderueshëm i grave që përballen me dhunë në familje tërhiqen nga paditë për të mos dëmtuar më tej familjen nga burgosja e bashkëshortit apo bashkëjetuesit.

Shkaqet janë nga më të ndryshme, por ka dhe raste që shkak bëhet dhe gjendja ekonomike. I tillë është rasti e kësaj gruaje që prej ditësh qëndron me lot në sy në dyert e policisë dhe te gjykatës, duke kërkuar të lirohet bashkëshorti.

“E kam denoncuar burrin për dhunë në familje, erdhi i dehur dhe ra para derës, nuk kisha mundësi me e ngrit. I kërkova ndihmë një djali të komshisë. I thashë lajmëro policinë, erdhi policia dhe e mori.”

Sadetja tregon se jeton në kushte të vështira ekonomike dhe madje prej katër vitesh OSHEE, i ka ndërprerë energjinë, ndërsa i vetmi krah pune në familje është bashkëshorti, i cili tashmë është i prangosur.

“Ndonjë shkarkim te dogana, nuk ka as punë, asgjë. Unë jam bllokuar me djalin, e kam të sëmurë. Nuk marr asistencë, as ndihmë ekonomike. Ju lutem më ndihmoni, nuk kam as ujë dhe as drita prej 4 vitesh në shtëpi. Kam djalin e sëmurë, me probleme.”

Pavarësisht se pranon se ndaj saj është ushtruar dhunë, Sadetja është e gatshme ti japë një mundësi të dytë bashkëshortit të saj, ndërsa kërkon që shteti dhe institucionet ta ndihmojnë.

“E kam denoncuar, e fali. Një punë për mua pastruese diku.”