Qyteti verior i Kozanit është i pari në Greqi që i është nënshtruar masave drastike kufizuese për shkak të situatës serioze me pandeminë e koronavirusit.

Të enjten, 15 tetor, autoritetet shpallën nivelin më të lartë të rrezikut nga infeksioni në rajonin grek të Maqedonisë.

Gjatë dy javëve të ardhshme, banorët e kanë të detyrueshme mbajtjen e maskave në të gjitha ambientet publike të brendshme e të jashtme dhe u është ndaluar lëvizja jashtë njësisë së tyre.

Nxënësit e shkollave po vijojnë mësimin me maska, ndërsa arsimi i lartë zhvillohet vetëm nga interneti.

Janë pezulluar veprimtaritë e gjykatave, zyrat kadastrore, vizitat në sitet arkeologjike dhe muzetë, shfaqjet artistike dhe muzikore, janë mbyllur klubet e natës dhe baret, këndet e lojërave, sportet joindividuale, palestrat, dyqanet dhe parukeritë e shërbimet e kujdesit personal.

Nuk ka dyshim se e tërë Europa po përballet me një valë të dytë të pandemisë së kovidit. Si Greqi e kemi menaxhuar situatën më mirë se të tjerët, por na duhet të jemi absolutisht konsistentë në zbatimin e masave që shpallin ekspertët. E nëse ata do kërkojnë masa shtesë të karakterit lokal, nuk do hezitojmë t’i aplikojmë për ta ndalur përhapjen e virusit,” deklaroi nga Brukseli, kryeministri grek, Qirjakos Micotaqis.

Në 24 orët e kaluara, Greqia konfirmoi mbi 450 raste të reja të infektimit me virusin SARS-CoV-2.

22 prej tyre vinin nga qyteti i Kozanit që tani raporton 220 raste në ndjekje.

Ndërkohë 13 vdekje të reja nga kovidi e çuan mbi 480 gjithsej numrin e viktimave të pandemisë, shumica e tyre mbi moshën 70 vjeç dhe me sëmundje të mëparshme të pleqërisë, nga diabeti, nga komplikacionet e zemrës dhe të mushkërive.