Rusia mban anën e Greqisë për sa i përket çështjes së zgjerimit me 12 milje të vijës së saj detare përballë Turqisë.

Greqia është në të drejtën e saj që të përcaktojë hapësirën e ujërave territorialë me fqinjët.

Me këtë deklaratë, ministri i Jashtëm i Rusisë, nisi të hënën vizitën zyrtare në Athinë për t’i dhënë shans të ri shkrirjes së akujve dyvjeçarë diplomatikë mes dy vendeve.

Ai e bëri komentin përpara takimit me homologun grek, Nikos Dendias, më vonë me kryeqeveritarin, Qirjakos Micotaqis dhe me kryetarin e opozitës, Aleksis Cipras.

“Si palë nënshkruese e Konventës së OKB-së për Ligjin e Detit, vlerësojmë se Neni 3 ia njeh çdo shteti të drejtën sovrane për t’i shtrirë ujërat e vet territorialë me 12 milje detare. Problemet që lidhen me delimitimin e shelfit kontinental dhe Zonën Ekonomike Ekskluzive, fqinjët duhet t’i zgjidhin sipas të drejtës ndërkombëtare,” – deklaroi Lavrovi në një intervistë për AMNA-n, teksa bëri thirrje për përfshirjen në dialog politik të palëve të interesuara.

Deklarata e tij u fokusua te konflikti i fundit Ankara-Athinë për territoret ujore dhe energjetike në Mesdheun Lindor.

Por me këtë bindje ministri i Jashtëm grek, Dendias, dhe kryeministri Edi Rama justifikuan javën e kaluar edhe vendimin për t’i adresuar në Hagë mosmarrëveshjet dypalëshe për kufijtë detarë.

Gazeta “To Vima” raportoi se kjo ide i ishte propozuar palës shqiptare në muajt e verës pasi bllokada që paraqiste Gjykata Kushtetuese në Shqipëri nuk po anashkalohej me diplomaci.