Greqia hap kufijtë tokësorë me Shqipërinë nga 1 korriku

Greqia hap kufijtë tokësorë me Shqipërinë nga 1 korriku

Pasi ndaloi në mesin e muajit lëvizjet e rregullta, Greqia nga e mërkurë ka vendosur të rihapë kufirin tokësor me Kakavijën për të gjithë qytetarët.

Duke e nisur nga e mërkura, Greqia ka vendosur ta hapë pa kufizime pikën kufitare të Kakavijës dhe të Kapshticës me Shqipërinë duke lejuar sërish lëvizjet e rregullta mes dy shteteve fqinje.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Pecas, informoi të hënën se nga 1 korriku Athina synon të rikthehet drejt normalitetit si përpara krizës së koronavirusit.

Me këtë rast, do të hapen 7 nga 14 pikëkalimet tokësore në veri të Greqisë që lidhin vendin me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, me Bullgarinë dhe Turqinë.

"Nga dita e pasnesërme, të mërkurën, më 1 korrik, hedhim hapin e fundit drejt normalitetit duke rihapur çdo aeroportet për fluturimet nga jashtë, portet greke për mbërritjet e anijeve dhe njëherazi disa nga pikëkalimet tona. Qeveria vazhdon përgatitjet maksimale për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve të industrisë dhe rezidentët e destinacioneve turistike," u shpreh zëdhënësi i qeverisë greke.

Për udhëtarët me avion, deri 48 orë para nisjes për në Greqi, pasagjerëve do u kërkohet të plotësojnë në kompjuter ose në celular një formular me të dhënat e vendit nga vijnë dhe kanë qëndruar në 15 ditët e fundit.

Këto informacione do i bashkëngjiten kodit të posaçëm të udhëtarit përmes të cilit autoritetet do të vlerësojnë nëse personi duhet t'i nënshtrohet testit të kovidit-19.

Një rezultat pozitiv do të detyronte izolimin e personit për 14 ditë në një vend të përcaktuar.

Të premten por edhe në javët e mëhershme, zyrtarë të kabinetit ishin shprehur se nuk kishin plane për rinisjen e udhëtimeve me Shqipërinë, duke treguar rezerva për përkeqësimin e situatës epidemiologjike që nisi të vërehej në Tiranë prej mesit të qershorit.

Greqia vetë falë izolimit fillestar ka mundur ta përmbajë infeksionin e kovidit të ri që në vend ka prekur më shumë se 3,300 dhe u ka marrë jetën rreth 190 personave.

Në vazhdën e politikave lehtësuese ndaj epidemisë, qeveria lejoi të hënën frekuentimin sërish nga qytetarët të kinemave, teatrove, kazinove, klubeve kulturore, panaireve dhe koncerteve e eventeve artistike.

Bizneset lokale, ndërkaq, do u vihet në ndihmë në formën e paketave fiskale, amnistive dhe rimbursimeve që synohet të ringjallin sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë të goditur më rëndë nga pandemia globale e koronavirusit.

EMISIONET