Greqia dhe Turqia kanë lënë pas retorikën e luftës dhe tani duket se janë gati të ulen në bisedime. Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, tha nga Prishtina ku ndodhej për vizitë zyrtare, se takimi i radhës do të zhvillohet në Turqi, ndërsa pret që homologu i tij turk Mevlüt Çavuşoğlu të caktojë edhe datën e këtyre bisedimeve.

Ankaraja ka tërhequr nga Mesdheu Lindor një anije kërkimi për hidrokarburet dhe Athina e ka vlerësuar këtë si një gjet vullnetmirë që i hap rrugën dialogut.

Nga Prishtina ku zhvilloi një vizitë zyrtare, ministri i Jashtëm grek Dendias tha se me homologen e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, diskutoi për çështje që lidhen me stabilitetin dhe sigurinë në rajon, dialogun Prishtinë-Beograd, por edhe mundësitë e bashkëpunimit me të Kosovës me Greqinë.

“Në veçanti, ne patëm diskutime mbi çështjet e energjisë dhe rritjen e transaksioneve tona financiare. Qeveria po bën përpjekje të mëdha për ta bërë Greqinë një qendër energjetike për rajonin e Ballkanit,” tha Dendias.

Ky zotim i tij vjen ndërsa Bashkimi Europian shpalli Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, për të cilin ka mobilizuar menjëherë 9 miliardë euro dhe pret që brenda katër vjetëve fondi i investimeve të rritet me 20 miliardë euro.

Për ministren e Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, vizita e kryediplomatit grek jep një mesazh të qartë se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve po thellohen jo vetëm për integrimin europian, por edhe në bashkëpunimin ndërshtetëror.

Haradinaj-Stublla, pret që me ndihmën e ShBA-së, Kosova të fitojë edhe njohjen e Greqisë.

“Ju e dini që Greqia ka qenë ndër shtetet mosnjohëse dhe ka qenë shteti që ka përkrahur dialogun në drejtim të Kosovës drejt liberalizimit të vizave. Tashmë që kemi një mik të përbashkët ShBA-në, marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej në udhëheqjen drejt finales e cila është njohja dhe po punojmë me kujdes në këtë drejtim”.