Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha të premten se Turqia duhet të ndalë “kërcënimet” nëse dëshiron të ulet në dialog. Deklarata e tij vjen pas paralajmërimeve të NATO-s se të dyja vendet kanë rënë dakord për të nisur dialogun për uljen e tensionit në Mesdheun Lindor.

“Kërcënimet duhet të marrin fund në mënyrë që të fillojnë kontaktet”, tha Mitsotakis.“Turqia po “shkel” ligjin ndërkombëtar dhe “rrezikon” sigurinë rajonale duke kërkuar të “ndryshojë” gjeografinë,” shtoi kryeministri grek.

Ndërkohë Athina mohoi më vonë se kishte rënë dakord të zhvillonte bisedime me Turqinë me ndërmjetësimin e NATO-s, për të ulur tensionet mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e kërkimit të gazit dhe naftës në rajon. Deklarata për këtë erdhi nga vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Informacioni i botuar që pretendon se Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord të mbajnë të ashtuquajturat ‘bisedime teknike’ mbi uljen e tensioneve në Mesdheun Lindor nuk lidhen me realitetin”, tha Ministria e Jashtme e Greqisë.

Ndërsa presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, tha se kishte folur me videokonferencë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ku kritikoi si “të papranueshme” mbështetjen e disa vendeve për qëndrimin egoist dhe të padrejtë sipas tij të Greqisë. Gjatë bisedës me Merkelin, Erdogan tha se Greqia, autoritetet greko-qipriote dhe vendet e tjera që i mbështesin ato të dyja, po shkaktojnë ngërç dhe po përshkallëzojnë tensionet.

Tensionet mes dy vendeve u rritën pas vendimit të Turqisë më 10 gusht për të dërguar një anije kërkimore dhe ushtarake në Mesdhe. Greqia dhe Qiproja thonë se ky veprim ka shkelur sovranitetin e tyre. Greqia u përgjigj duke organizuar stërvitje detare me disa aleatë të BE-së dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Bashkimi Europian ka kërkuar vazhdimisht nga Turqia të ndalojë aktivitetet e kërkimit duke kërcënuar me vendosjen e sanksioneve ndaj Ankarasë nëse ajo nuk pranon të zgjidhë mosmarrëveshjen përmes dialogut, por ende brenda BE-në nuk ka një mendim unanim se si duhet vepruar ndaj Turqisë.