Një ngarkesë me 100 kilogramë kokainë u konfiskua nga një kamion pas një kontrolli nga Rojet Bregdetare ditën e djeshme (27 gusht) në portin e Patras, Greqi.

Droga, e cila ishte fshehur brenda kamionit u zbulua nga qentë antidrogë. Si pasojë policia arrestoi shoferin e kamionit, një 63-vjeçar.

Kokaina ishte e mbështjellë në 100 pako. Gjithashtu policia sekuestroi në cilësinë e provës material 2 telefona, një GPS dhe një shumë prej 600 eurosh cash.

Vlera e lëndës narkotike në treg kapte shifrën maksimale të 5 milionë eurove.

Kjo është sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë nga marina në një port grek, e cila do të kanalizohej në tregun evropian.