Grekët të lodhur nga azilkërkuesit, banorët kërkojnë shpërnguljen e tyre

Grekët të lodhur nga azilkërkuesit, banorët

Ishulli grek i Lesbosit prej vitesh strehon gati 7 mijë azilkërkues të ardhur nga vendet e luftës me destinacion final, Europën.

Kampi i Morias ishte më i madhi deri shtatorin e kaluar, kur vetë emigrantët i vunë zjarrin për shkak se nuk pajtoheshin me kushtet e jetesës.

Kërkesat e refugjatëve për azil ende nuk janë adresuar dhe jetesa në kampe vazhdon të jetë po aq e mundimshme sa më parë.

"Ka shumë probleme. Mirë që kaloi dimri sepse shiu na depërtonte tendat. Kështu si jemi është më mirë se asgjë, por i lutemi Europës, Amerikës për një jetë më të mirë," tha Shafi Dibiere migrant nga Somalia.

"E vetmja gjë e mirë këtu është siguria. Siguria shumë më e lartë sesa te kampi i Morias. Atje kishim dhunë, viktima, njerëz që thereshin, mafie, drogë. Këtu nuk ka thuajse asgjë të tillë," tha Raid Aloweit, migrant nga Siria.

Bashkimi Europian ka planifikuar 276 milionë euro për ndërtimin e katër kampeve të reja në Lesbos dhe në katër ishuj të tjerë të Egjeut, në Kios, Samos, Kos dhe Leros.

Vendstrehimet provizore do t'u siguronin banesën gati 14 mijë emigrantëve, por banorët lokalë e kundërshtojnë nismën.

"Zgjidhja është që të ikin të gjithë nga ishulli. Nëse nuk duan të ikin, atëherë duhet të ndahen mes të gjitha vendeve të Europës," tha Panagiotis Hatzisavvas, pensionist.

"Prej gjashtë vitesh mbajmë barrë e emigracionit, dhe këtë bota duhet ta kuptojë. Jemi të lodhur. E kemi treguar solidaritetin tonë, por mjaft më!" tha Erifili Yiannaka, këshillëtari bashkiak.

Të hënën, komisionerja e BE-së për Punët e Brendshme vizitoi ishullin e Lesbosit për të parë situatën dhe për të propozuar zgjidhje.

"E kuptoj që durimi i secilit e ka një kufi. E kuptoj edhe se ky kufi është afër limitit këtu në Lesbos dhe në shumë zona të tjera. Por këta njerëz nuk mund t'i lëmë në tenda edhe për një vit tjetër. Duhet të gjejmë urgjentisht qendra të reja pritetje dhe zgjidhje politike," deklaroi komisionerja Ylva Johanson.

Rajoni Lajme Greqi Greqi Ylva Johanson migrimi ishillu lesbos

EMISIONET