Qindra ish-punonjës policie në këtë përvjetor të krijimit të forcave policore i gjen në pension. Mes tyre është dhe Beqir Doçi, i cili ka shërbyer me përkushtim në disa departamente për 46 vite me radhë. Karriera e tij ka nisur gjatë kohës së diktaturës, ndërsa shpjegon si i ka mbijetuar ndryshimit të sistemit dhe partive politike pas viteve ’90.

Ky është Beqir Doçi, i cili ka punuar për 46 vite në radhët e Policisë së Shtetit.

Ai i ka rezistuar kohës së diktaturës, ndryshimit të sistemeve apo dhe rotacionit të partive politike pas viteve ’90.

Ky 108 vjetor i krijimit të Policisë Shqiptare e ka gjetur atë në pension, duke kujtuar me pasion detyrat dhe operacionet ku ka marrë pjesë gjatë shërbimit në polici.

Beqir Doçi: Karrierën e kam filluar në vitin 1973, kisha shumë dëshirë të jem një punonjës i organeve të policisë. E kam nisur nga Korça, në Tropojë, Gjirokastër, në Dibër shumë kohë dhe karrierën e mbylla në vendlindjen time.

Grada më e lartë që Doçi ka marrë gjatë karrierës së tij ka qenë kryekomisar por në jetën e tij numëron një numër të madh detyrash e shërbimesh në disa qytete të vendit, kryesisht në Departamentin e Kufirit.

Beqir Doçi: Kam pasur raste që shkelësit të kufirit i kam shpëtuar jetën. Nuk mund të gjejmë armikun, një person të cilit nuk i pëlqen regjimi.

Vitet nuk ia kanë mjegulluar në kujtesë detajet e momenteve të bukura por dhe ato të vështira që ka kaluar në detyrë.

Beqir Doçi: Periudha më e mirë në karrierë ka qenë kur kam marrë gradën. Më i keqi, më ka mbetur djali i nënës i vdekur në dorë nga orteku në lumin e Gashit në Tropojë. Ja kemi çuar të vdekur nënës, nuk dija çfarë ti thoja.

Në syrin e tij policia ka ndryshuar në shumë, megjithatë thotë se një gjë nuk ndryshon asnjëherë në ruajtjen e rendit, të qënit i kujdesshëm dhe te zbatimi me përpikëri i detyrave ligjore.

Beqir Doçi: Duhet ti shërbejnë atdheut. Organet e policisë duhet të konceptojnë mirë problemin e depolitizimit dhe departizimit, duhet të dinë ta ndajnë. Asnjëherë nuk duhet të shkojnë pas një personi që ka problemet dhe punët e politikës.

Në këtë përvjetor, Doçi i bën thirrje të rinjve të aplikojnë që të bëhen pjesë e policisë, por ka dhe një thirrje për drejtuesit që të filtrojnë personat që përzgjidhen në strukturat e rendit.

Beqir Doçi: Është e shkruar dhe e sanksionuar me ligj, organet drejtuese të Policisë së Shtetit e dinë mirë. Punonjësi i policisë duhet të jetë në filtër para se të marrë titullin punonjës policie.

Sipas Doçit ky është përvjetori i parë që nuk mblidhet me kolegët dhe ish-kolegët për të festuar krijimin e strukturës së policisë, kjo për shkak të masave anti-Covid.