Ish-kryeredaktori i gazetës turke “Cumhuriyet”, Can Dyndar, është shpallur fajtor nga një gjykatë turke dhe është dënuar me 27 vjet heqje lirie. Akuzat që rëndojnë mbi të janë për terrorizëm dhe spiunazh. Gazetari u largua në Gjermani, në vitin 2016, ku edhe ka marrë azil.

Gazetari turk Can Dundar është dënuar me 27 vjet burg për mbështetje të terrorizmit dhe spiunazh nga një gjykatë turke. Vendimi i dhënë këtë të mërkurë njoftoi se Dundar dënohet me 18 vjet e nëntë muaj burg për marrjen e sekreteve shtetërore me qëllim të spiunazhit politik ose ushtarak.

Gjykata gjithashtu e dënoi atë me një shtesë prej tetë vjetësh e nëntë muajsh burg për mbështetjen e një organizate të armatosur terroriste. Gazetari ka publikuar më herët një investigim që në lidhje me dërgesat e armëve që bënte Turqia te rebelët Sirianë, në vitin 2015.

Dyndar ndodhet në Gjermani ku ka kërkuar edhe azil politik, dhe vendimi për të u dha në mungesë. Gjykata e shpalli gazetarin të arratisur dhe urdhëroi sekuestrimin e pasurive të tij si edhe të llogarive bankare në emrin e tij. Avokatët e gazetarit thanë se ata nuk do të merrnin pjesë në seancën përfundimtare, duke përsëritur se akuzat janë të motivuara politikisht.

“Ne nuk duam të jemi pjesë e një praktike për të legjitimuar një vendim politik të vendosur më parë” thanë avokatët, në një deklaratë me shkrim, të martën.

Më herët, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kishte paralajmëruar Dundarin se do të “paguante një çmim të rëndë” për investigimin e medias që ai drejtonte, ku ekspozohej agjencia turke e inteligjencës.

Edhe institucionet e Bashkimit Europian kanë reaguar për raste të ktilla të lirisë së shtypit dhe të të drejtave të njeriut në Turqi, duke paralajmëruar Ankaranë se po shkatërronte vlerat demokratike.