Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim shfaqet shumë e ashpër në postimin e saj më të fundit në Twitter.

Diplomatja amerikane i kërkon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që brenda kësaj jave të dërgojë në Presidencë dhe Parlament listën e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Kim, palët e përfshira në proces duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë.

“KED duhet të takohet këtë javë për të përfunduar vlerësimin dhe për të dërguar listën e kandidatëve në Presidencë dhe Parlament. Proceset duhet të respektohen, por jo të keqpërdoren. Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese nuk mund të jetë funksionale deri më 31 dhjetor. Është çështje vullneti. Udhëheqësit duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë”, shkruan Kim.

Në të njëjtën linjë me ambasadoren e SHBA është edhe Luigi Soreca, i cili rikujton se, ngritja e Gjykatës Kushtetuese është një ndër kushtet e Shqipërisë drejt çeljes së negociatave me BE.

/a.r, OraNews