Gjykata e Posaçme në Hagë refuzon lirimin me kusht të Sali Mustafës

Gjykata e Posaçme në Hagë refuzon lirimin me kusht të Sali

Gjykata e Posaçme e Kosovës më seli në Hagë, refuzoi sot kërkesën për lirimin me kusht të Salih Mustafës, një tjetër ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i akuzuar për krime lufte.

Në vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake, thuhet mes tjerash se "pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe zbulimit të Kosovës, i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do lehtësonin përpjekjet për t'u arratisur, për të penguar procedurat përmes ndërhyrjes te viktimat dhe dëshmitarët apo për të kryer krime të mëtejshme".

Sali Mustafa, ishte zyrtar i lartë në Drejtorinë e Zbulimit dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës para se të arrestohej me 24 shtator nën akuzat për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Në paraqitjen e parë para gjykatës ai tha se ndjehet i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Avokatët e zotit Mustafa thanë se ai është "paraqitur vullnetarisht për t’u intervistuar nga zyra e Prokurorit të Posaçëm dhe se do të dorëzojë vullnetarisht pasaportën e tij dhe do të paraqitet para gjykatës sipas kërkesës".

Por, Prokuroria e Posaçme tha se zotit Mustafa “i është rritur nxitja për të ikur sepse tash është i vetëdijshëm për mundësinë e dënimit, dhe se rreziku nga ikja është më e madhe marrë parasysh numrin e kufizuar të shteteve me cilat Kosova ka marrëveshje për ekstradim".

Në një njoftim të gjykatës thuhet se çështja e zotit Mustafa do të trajtohet pas dy muajsh kur skadon edhe vendimi për vazhdimin e paraburgimit të tij.

Zoti Mustafa është i arrestuari i parë që nga themelimi i Gjykatës së Posaçme në gusht të vitit 2015 me vendim të parlamentit të Kosovës.

Arrestimi i tij u pasua me arrestimin ish drejtuesve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Të gjithë akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave, raporton VOA.

Rajoni Lajme Kosovë hage sali mustafa

EMISIONET