Drejtori i Zyres në Serbi për Kosovën, Marko Gjuriq, pjesë e delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën në Washington, ka deklaruar se mbase do të ishte mirë që negociatat të zhvillohen drejtpërsëdrejti midis shqiptarëve dhe serbëve, por se pa pjesëmarrjen aktive të bashkësisë ndërkombëtare “nuk është reale” të pritet bisedë midis dy palëve.

Në një intervistë për kanalin serb, “TV Prva”, Gjuriqi ka theksuar se pozicioni i Beogradit në negociatat me Prishtinën tani është më i mirë, sesa që ka qenë në vitet paraprake.

Ai ka përsëritur se delegacioni serb në negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA-ja “çon në Washington platformën për lidhje ekonomike”, e cila do të sjellë përmirësim të kushteve të jetesës.

“Serbia dëshiron që të bisedojë në mënyrë racionale dhe serioze. Delegacioni ynë është përgatitur të ofrojë pako për bashkëpunim ekonomik dhe lidhje përmes infrastrukturës”, ka thënë ai./KOHA/