Përkeqësimi i kushteve atmosferike mund të risjellë reshje të shtuara shiu në vend në ditët e ardhshme, e rrjedhimisht përmbytje në zona të caktuara të vendit.

Prefekti i Qarkut Lezhë, Gjok Jaku, në një lidhje me skype për Ora News, tha se strukturat bashkiake kanë nisur punën për evitimin e përmbytjeve.

Gjatë fjalës së tij ai theksoi se dëmet gjatë përmbytjeve të ditëve të kaluara kanë qenë të pakta.

“Nga të dhënat zyrtare  kemi pasur 29 familje të evakuuara, për të cilat ka pasur prezencë uji. Për të ruajtur shëndetin e tyre ne i kemi ardhur në ndihmë dhe t’i strehojmë përkohësisht. Them që në komunikimin e kryetarëve të bashkive, them që ka pasur prezencë uji në ushqimet për blegtorinë. Sa i takon kulturave bujqësore, jemi në sezon dimëror dhe zona me më së shumti në ujë ka qenë ajo e Nënshkodrës dhe e Zadrimës, ku më së shumti prodhohet gruri dhe për rrjedhojë në komunikim me specialistë nuk ka shkaktuar dëmtime në parcela. Ditën e martë do të kemi dhe komunikimin e radhës me emergjencat civile dhe do të informohemi më tepër në lidhje me dëmet”, tha Jaku.

Nga ana tjetër, prefekti i Qarkut Lezhë nënvizoi se pastrimi i kanaleve mbetet një sfidë e përhershme.

“Veprat kryesore ujore janë sot pjesë e angazhimit dhe punës të Bordit Rajonal të Kullimit, i cili me kapacitetet që disponon ka kryer një punë të shkëlqyer në këto ditët e fundit. Por pjesa tjetër e kulturës ujore, që merren me pastrimin e kanaleve, janë në inventarin e bashkive. Sigurisht ka ende shumë punë për të bërë nga ana e tyre. Bashkia Lezhë dhe Kurbin me të gjitha kapacitetet e tyre që i kanë i kanë në gatishmëri pune dhe po punojnë dita ditës pa ndërprerje. Të dyja bashkitë dy vitet e fundit edhe pse janë përballur me pasojat e pandemisë e tërmetit, të dyja këto bashki në rishikimin e buxhetit kanë marrë vendimin të alokohen fonde në drejtim të bujqësisë, në drejtim të ndërhyrjes për sistemin e  ujti-kullimit. Ky proces sigurisht që vazhdon. Duhet ta them që një pjesë e vogël e kanaleve, të dyta dhe të treta që janë kanale kulluese, por edhe pjesë e infrastrukturës së ujitjes janë pothuajse jashtë funksionit për 20 e ca vite” u shpreh ai.