Në një intervistë për Ora News, zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, komentoi letrën që Opozita e Bashkuar i drejtoi ministrit Blendi Çuçi ku i kërkohej shtyrja e afateve për kartat e identitetit dhe pasaportave biometrike deri më 30 prill.

Lexo edhe:

Opozita e Bashkuar letër ministrit Çuçi: Të zgjatet deri më 30 prill afati për dokumentet biometrike

Lamallari u shpreh se një gjë e tillë është bërë edhe më parë, ndërsa shtoi se kërkesa e opozitës do të shqyrtohet.

Besfort Lamallari: Ne edhe më herët kemi bërë një shtyrja të afatit të aplikimit për kartat e identitetit. Sigurisht edhe thirrja e vazhdueshme e Ministrisë së Brendshme ka qenë që qytetarët shqiptarë të nxitojnë për të aplikuar për kartë identiteti, pikërisht për të garantuar jo vetëm të drejtën e votës por edhe të drejta të tjera, shërbime, që përfitohen përmes kartës së identitetit. Si çdo kërkesë që paraqitet në Ministrinë e Brendshme, qoftë edhe nga subjektet politike, do të shqyrtohet dhe do të ketë një vendimmarrje.

Kujtojmë se ditën e sotme, policia njoftoi gjobitjen me nga 50 milionë lekë të vjetra të nënkryetarit të PD Edmond Spaho dhe kryetarit të FRPD Belind Këlliçi.

Por sipas Lamallarit, pandemia nuk ka ngjyrime politike dhe se do të ndëshkohet kushdo që shkel masat anti-Covid.

Besfort Lamallari: Dua të theksoj, për çdo qytetar në fakt është e qartë, është e kuptueshme, ky virus, kjo pandemi nuk mund të ketë ngjyrime politike. Në fund të ditës, është në ndërgjegjen e gjithësecilit prej nesh, qoftë me kostum politik ose jo, që të marrim të gjitha masat e nevojshme, distancimi nga njëri-tjetri, respektimi i protokollit të dhënë nga ekspertët, vendosja e maskës dhe çdo elementi tjetër që parashikohet në funksion të parandalimit të përhapjes së këtij virusi, jo vetëm për të mbrojtur jetën dhe shëndetin tonë por edhe për të mbrojtur miqtë tanë, familjarët tanë, sidomos ata që janë të moshës së vjetër.

Lexo edhe:

50 milionë lekë gjobë për nënkryetarin e PD, nuk shpëton as Belind Këlliçi

Gjobitet me 50 mln lekë, Këlliçi: Gjobat janë vetëm për Opozitën, edhe 66 ditë dhe ju pret 25 Prilli

Intervistoi në studio Matilda Mcini, përgatit për web-in Aurel Rakipllari